E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti pa strategji

Komuniteti i biznesit, thuajse nuk ia ka parë hajrin Qeverisë, as në të kaluarën, e as tani. Të gjitha angazhimet për zhvillimin ekonomik të Kosovës, afaristët dhe akademikët në forumin Zhvillimi ekonomik i Kosovës: E kaluara E tanishmja E ardhmja, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, ia kanë atribuuar vetes.

Bizneset, të cilat në periudha të ndryshme janë gjendur në kufij të ekzistencës afariste, apo edhe të shuarjes, pas luftës, sipas organizatorëve, falë përvojës dhe shkathtësisë së tyre, gjenden në një pozicion shumë më të mirë dhe shumë më konkurrues.

Kreu i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se bizneset do të duhej pa tjetër të marrin në dorë zhvillimin ekonomik, pasi që Kosovës i ka munguar një strategji e qartë se ku duhet të orientohen investimet.

Kosova duhet të fokusohet në zhvillim dhe ky zhvillim duhet të fokusohet në një strategji që në Kosovë mungon, dhe ajo strategji duhet të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që potencialin kosovar që e kemi, por edhe investitorët e huaj, të kenë një vizion të qartë se kah do të shkojë Kosova dhe çka do të zhvillojë Kosova, është shprehur Shahini.

Sipas tij, integrimi duhet të shkojë më tutje dhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për këtë sektor, i cili mund të nxitë një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe mund të krijojë vende të reja të punës.

Këshilltari i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Petraq Milo, tha se Kosova duhet të mësojë edhe nga përvoja e vendeve të tjera dhe të adaptojë politikat zhvillimore, në favor të bizneseve vendore, por edhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Qeveria sipas tij, duhet të vërë në funksion ato mundësi që ka për të promovuar prodhimin vendës, në mënyrë që të rrisë konkurrencën me vendet e rajonit.

Politika mund të vërë në dispozicion kapacitetet që ka në favor të investitorëve, ka pohuar Milo, duke aluduar në lehtësirat për eksport dhe uljen e taksave.

Sipas tij, bizneset duhet të përkrahen nga qeveria për hapjen e tregut dhe heqjen e barrierave dhe bllokadave tregtare nga vendet fqinje.

Megjithatë, në këtë forum u tha se financimi i bizneseve mbetet ndër problemet kryesor me të cilat ballafaqohen afaristët kosovarë.

Kreditë e shtrenjta dhe afatet e shkurtra të kthimit të kredive, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, po i pengojnë ata në zgjerimin e aktiviteteve afariste.

Gjithashtu, barrierat tregtare ndaj prodhimeve kosovare nga vendet anëtare të CEFTA-s janë vlerësuar si pengesë në rritjen e prodhimtarisë në Kosovë.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, Qemajl Smajli, ka thënë se Kosova ka resurse, por nuk ka kushte që ato të shfrytëzohen në maksimum.

Nëse nuk ka prodhim, atëherë nuk mund të ketë as standard të dëshirueshëm për qytetarët, të cilët në bazë të këtyre ecurive, mund të varfërohen edhe më shumë në të ardhmen, është shprehur Smajli.

Në anën tjetër, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, u ka bërë thirrje bizneseve që të përmirësojnë raportimin e tyre financiar si kusht për krijimin e lehtësirave për qasje në financa.

Sipas tij, ky është edhe kusht që bizneset duhet plotësuar për tu lidhur me trendët evropianë të afarizmit bashkëkohor.

Ai ka bërë të ditur se 74 për qind e kredive të lëshuara nga bankat janë dhënë për ndërmarrje. Gërguri pranon se normat e interesit janë më të larta krahasuar me vendet e rajonit, por sipas tij, këto norma janë në rënie, pasi që kriza ekonomike financiare po kalon dhe burimet e financimit janë më të lira.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›