"Dhe në këtë synim që dëshmon mjerimin tonë, nuk ka kufi"
Lexoj shpesh forumet e debateve online, si dhe ndjek rubrikën tuaj të letrave. Kur shikoj që edhe pjesëtarë të brezit të ri nuk luajnë nga istikamet që kanë zënë në fillim nëpër forume, deziluzionohem. Ne pengojmë vetveten për të ndryshuar, por pengojme edhe shoku-shokun duke e prekur në "tela". Kam hasur dhe terma të tillë, fare të huaj për mentalitetin e një brezi të ri, si "besnikëria ndaj partisë".
Edhe pse e dimë që programi i të gjitha partive është i njëjtë - si të vjedhim popullin e kombin, ushtarët e partive vazhdojnë luftën. Kryetarët herë pas here nxjerrin kokat në dritare dhe bërtasin:-YXHYYYYYYM!!! Po na trajtojnë si kafshë elektorale. Përse duhej bërë ajo festë në sheshin "Skënderbej"? Për NATO-n do thoshte ndokush.
Jo, nuk është e vërtetë. U bë që Kryeministri t'i jepte përgjigje marshimit të heshtur të opozitës, për të treguar se edhe ky mblidhka njerëz në sheshe. Dhe në këtë synim nuk ka kufi. As në paratë e harxhuara (meqë ra fjala, sa janë paguar nga buxheti i shtetit për atë ushtri këngëtarësh?), as në rrethanat jo të mira (ende nuk janë mbyllur varret e gërdecarëve). Çfarë mjerimi! Festa është fyerje jo vetëm për të gjallët por edhe për të vdekurit, edhe për baxhanakun e Kryeministrit. Fantazma e tij do ta ndjekë Kryeministrin nga "fitorja në fitore", nga "koncerti në koncert"; duke tundur tufën e parave, e duke klithur: "Merri,baxhanak, merri, ja ku i ke!"...