E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti rus e shfrytëzon krizën për të shtetëzuar edhe më shumë asete

Në fund të tetorit, një prej
njerëzve më të afërt të
Vladimir Putinit, iu vërsul
krejt papritmas një oligarku
miliarder, që operon në sektorin e minierave.
Zyrtari Sergei Seçin kishte vënë në
shënjestër një aksident të ndodhur para
dy vjetësh në një prej bizneseve tepër fitimprurëse
të oligarkut.
Seçin, i cili është lider i një fraksioni të
Kremlinit, që vepron në hije e i lidhur
ngushtë me agjencitë e sigurimit të shtetit,
tha se po urdhëronte një hetim të ri
mbi atë incident. Me një prej zëvendësministrave
të Punëve të
Brendshme përkrah gjatë mbledhjes,
Seçin kërcënoi se do të hapte çështje
gjyqësore kundër kompanisë së oligarkut
e quajtur "Uralkali". I frikësuar,
oligarku Dimitri Rybolovlev vërejti se
autoritetet e kishin shqyrtuar një herë
atë çështje, duke zbardhur përgjegjësitë
e kompanisë. Ai shtoi më tej se ishte i
gatshëm të paguante edhe një dëmshpërblim
tjetër për dëmin e shkaktuar nga
aksidenti: rënia e një galerie ku nuk u vra
askush, por që shkaktoi një gropë të madhe.
Oferta u hodh poshtë dhe është e
qartë përse: Kremlini kishte ndër mend
të shtinte në dorë aksionet e kompanisë
"Uralkali".
Putin, ish-president i vendit dhe aktualisht
Kryeministër, prej kohësh nënvizon
se gjatë viteve nëntëdhjetë është
bërë një gabim i stërmadh,
duke lejuar rënien
e rezervave të naftës,
gazit e rezervave të tjera
në duar të privatëve. Këtë
qëndrim e shprehu
shumë qartë gjatë përpjekjeve
për shtetëzimin
e aseteve të "Yukos
Oil Company" në vitin
2003. Tani duket se
Kremlini po përpiqet ta
shfrytëzojë krizën e
rëndë ekonomike si një mundësi për ta
shtuar edhe më tej kontrollin
mbi industritë e
dobësuara financiarisht,
veçanërisht ato të burimeve
natyrore.
Muajin e shkuar, për
shembull, fitoi më shumë
hapësirë në asetet e "Norilsk
Nickel", prodhuesi
më i madh i nikelit në
botë. Që të dy aksionerët
e saj, dy oligarkë rusë,
janë në vështirësi të rënda
financiare, ndërkohë
që Putin tha javës së shkuar
se po merrte në konsideratë
mundësinë e
ndërhyrjeve të tjera të
kësaj natyre.
Në ballë të këtyre përpjekjeve qëndron
pikërisht 48-vjeçari Seçin, zëvendëskryeministër
i cili ka qenë përkrah Putinit që prej
viteve nëntëdhjetë. Seçin nuk bën thuajse
kurrë deklarata publike dhe ruan një profil
shumë të kujdesshëm politik, por besohet
se është njeriu që koordinim shërbimet
sekrete në përpjekjet e shtetit për të shtënë
në dorë kompanitë.
Ndërhyrja e Seçinit në hetimin kundër
kompanisë "Uralkali" i bëri menjëherë
analistët të arrinin në përfundimin se kjo
gjendej në vështirësi. Aksionet e saj,
dikur të vlerësuara shumë nga
magjistarët e bursave, kanë humbur më
shumë se 60 për qind të vlerës, që nga
nisja e hetimit, shumë më tepër nga kompanitë
e tjera në tregun rus të bursave.
Kjo i ka shkaktuar humbje të pallogaritshme
42-vjeçarit Rybolovlev, i njohur si
mbreti i fertilizuesve në Rusi, i cili këtë verë
zuri faqet e para të gazetave, pasi i bleu
miliarderit amerikan, Donald Tramp, një
vilë në Florida për 95 milionë dollarë.
Kremlini nuk është shprehur zyrtarisht
për vendimin që do merret mbi
"Uralkali", por kompania shpreson ta
kalojë lumin me një gjobë prej më pak
qindra miliona dollarësh.
Analistët nënvizuan
se Seçin mund të
tërhiqet, duke parë se
bursa reagoi aq fort pas
nisjes së hetimit. Por
mund të jenë edhe zhvillimet
ekonomikë në
përgjithësi shkaku i
pauzës së Kremlinit. Rritja
e aseteve, të shtëna në
dorë nga shteti së fundmi,
e ka cenuar klimën e
investimeve dhe shpjegon
pjesërisht edhe arsyen
për të cilën bursa
ruse është në gjendjen
më të rëndë ndër të gjitha
bursat botërore.
Seçin nuk pranoi të lëshonte asnjë deklaratë
mbi hetimin, por një zëdhënës i
qeverisë tha se reputacioni i tij edhe
mund të cenohej. "Shtypi ndonjëherë ka
prirjen për t‘i dejonizuar njerëzit". Muajin
e shkuar, një prej zëvendëskryeministrave,
Igor Shuvalov, bëri me dije se
qeveria nuk kishte ndër mend ta shkatërronte
kompaninë dhe që "nëse pas
pagimit të dëmshpërblimit kompania
falimenton, kjo nuk do ta ndalë qeverinë,
për ‘Uralkali‘ do gjendet një pronar i ri".
Me krizën financiare që po përgjunj
ekonomitë në të gjithë globin, Rusia nuk
është e vetmja që po bëhet pronare e kompanive
private. Por, ndërsa shumë
qeveri e shohin si një vendim të sikletshëm,
por të domosdoshëm për t‘i shpëtuar
nga falimenti, Rusia duket se e sheh
krizën si një mundësi ideale për të shtrirë
rolin e qeverisë në ekonomi, duke
përqendruar edhe më shumë pushtet
brenda mureve të Kremlinit.
"Do derdhim kapitale drejtpërdrejt
në kompanitë e mëdha, në ato raste kur
diçka e tillë do t‘i shërbejë shtetit, për
rrjedhojë taksapaguesit, si edhe tek ato
sipërmarrje që përbëjnë bazën
ekonomike të Federatës Ruse", tha para
pak ditësh Putin. "Nuk përjashtojmë që
kjo mënyrë veprimi të mund të përdoret
në shkallë të gjerë".
Ajo që duket se tërhoqi vëmendjen e
lidershipit rus drejt kompanisë "Uralkali"
ishte bilanci i saj mbresëlënës, i cili
gjatë vitit të shkuar, me rritjen e çmimeve
të ushqimeve e produkteve të ndryshme,
shënoi fitime marramendëse. Arkëtimet
e saj llogariten të kenë qenë 1.1 miliardë
dollarë në gjysmën e parë të vitit 2008,
dyfishin e së njëjtës periudhë të 2007-ës.
Fitimi për po këtë periudhë u trefishua
dhe shkoi në 550 milionë dollarë.
Rusët ushqejnë ndjenja të dyzuara
për oligarkët si Rybolovlevi. Ata kanë prirjen
ta shohin vëngër pasurinë e oligarkëve,
duke besuar se e vunë mënjanë
në rrugë pak të ndershme gjatë viteve
nëntëdhjetë. Por i druhen edhe faktit që
zyrtarët e lartë mezi ç‘presin të shtinë në
dorë këto asete, të cilat më pas mund t‘i
keqpërdorin për shumë motive, si në kohët
e Bashkimit Sovjetik.
Në Berezniki, rreth 1 mijë kilometra në
verilindje të Moskës, në malet Urale,
hetimi i ri ka ngjallur ankth mes minatorëve,
të cilët janë shprehur në disa raste
se tremben për pagesat, në rast se
qeveria do të shtinte në dorë kompaninë.
48-vjeçari Vladimir Smirnof, i cili drejton
një prej transportuesve të minierës,
thotë se nuk e kupton dot ku qëndron
nevoja për këtë hetim të dytë, duke qenë
se në të mëparshmin kompania kishte
rezultuar e pafajshme. Hetimi i parë kishte
arritur në përfundimin se shembja në
minierë, e cila nuk shkaktoi viktima, duke
qenë se u paralajmëruan të gjithë
punonjësit në kohë, "ishte shkaktuar nga
një anomali gjeologjike".
"Na duket se qeveria thjesht do t‘i
marrë kompaninë Rybolovlevit", tha
Smirnof. "Autoritetet nuk arrijnë t‘i shohin
gjithë këto para të rrjedhin larg tyre".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›