Shteti si ndalon dot të luajë, por le të hapë qendra rehabilitimi
Lexova dy opinione për punën e taksimit të kazinove. Disa fajësojnë qeverinë për këtë. Unë çuditem se çfarë faji ka qeveria në këtë mes? Shume mirë bën që i takson kaq shumë.
E verteta është, se mbas komunizmit, ne shqiptarët po bëjmë çmos që të pasurohemi sa më shpejt dhe sa më shumë. Disa e bëjnë duke tregtuar drogën, apo çfarëdo ndalesë ligji që pjell pará. Disa të tjerë kanë zgjedhur bixhozin, (më shumë se shkelës ligji, këta për mua janë dembela).
Ky problem nuk është vetëm në Shqipëri, por unë shikoj disa shqiptarë këtu në SHBA që punojnë gjithë javën dhe i lënë për 1 orë në kazino ato që kanë fituar me punë. Kanë vite me të njëjtin itinerar dhe përsëri nuk u mbushet mendja, që kumari nuk është rruga e duhur ose shanset janë me 0.000001%, që të pasurohesh apo të jetosh me kumarin.
Nuk hyn shteti këtu, se nuk janë kalamaj që t’i marrësh për dore. Çfarë duhet të bëjë shteti, për mua është, që të hapë qendra rehabilitimi, pasi ka shumë nga këta të infektuar, që duan të largohen, por nuk dinë se si.