E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtigjet e reja të gazetarisë hulumtuese

Përderisa Pentagoni po zhvillon hetime për dëmet potenciale lidhur me zbulimin e më se 90 mijë dokumenteve të fshehta të ushtrisë së SHBA-së për luftën në Afganistan, në SHBA është nxitur debati për rolin e burimeve gazetareske në zbulimet e tilla, në periudhën e të dhënave digjitale.

Zyrtarët në Uashington thonë se janë të shqetësuar për rrezikun që zbulimi i dokumenteve mund të paraqesë për sigurinë kombëtare dhe njerëzit në Afganistan ose Pakistan, që kanë punuar kundër talebanëve apo Al-Qaidës.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Crowley, tha: “Departamenti i Shtetit i bashkohet Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Mbrojtjes, në dënimin e zbulimit të dokumenteve të fshehta nga WikiLeaks”.

“Fakti se këto dokumente në të shumtën e rasteve janë të vjetra disa vjet, nuk e ndryshon shqetësimin tonë se ky aksion rrezikon sigurinë tonë kombëtare”, shtoi ai.

Ushtria e SHBA-së ka bërë të ditur se ka hapur hetime penale, me qëllim të gjetjes së burimit të këtyre informacioneve.

Lidhur me këtë rast janë bërë krahasime me atë të ashtuquajturin “Letra të Pentagonit”, në vitin 1971, kur ish-analisti ushtarak amerikan, Daniel Elsberg, derisa ishte i punësuar në RAND Corporation, i publikoi 7 mijë faqe të një studimi të fshehtë të Pentagonit për konfliktin në Vietnam.

Këto informacione ai i kishte dërguar në New York Times dhe në gazetat e tjera.

Administrata e atëhershme e presidentit Richard Nixon ishte përpjekur për ta bllokuar publikimin e “Letrave të Pentagonit”, por kishte pësuar disfatë në Gjykatën Supreme, e cila vendosi në favor të New York Timesit dhe Washington Postit, sipas amendamentit të parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për publikimin e materialeve.

Analisti Tom Glaiser, nga Fondacioni i Ri Amerikan, tha se rasti i raporteve të Luftës në Afganistan është i ngjashëm me rastin e “Letrave të Pentagonit” në epokën e Internetit.

“Gjithnjë ka ekzistuar një balancim i ndjeshëm ndërmjet sigurisë kombëtare dhe interesit publik. Në rastin e ‘Letrave të Pentagonit’ ishte në favor të së drejtës së gazetave dhe gazetarëve, t’i publikojnë të gjitha të dhënat e ndjeshme”, tha Glaiser.

“Fakt është se ne po hyjmë në një botë me shumë të dhëna të tmerrshme digjitale përreth nesh dhe ekziston mundësi e madhe se ato mund të dalin në publik shumë shpejt. Bota do të ndryshojë. Ne duhet të mësohemi me gazetarinë në një botë të të dhënave digjitale”, tha shtoi ai.

Eksperti Stiven Aftergud, nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, tha se është ende e domosdoshme që gazetaria t’i verifikojë informatat që i merr nga grupet si WikiLeaks.

“Shërbimi që ata ishin duke kryer deri tash, ishte ai i burimit të dokumenteve. Por, dokumentet nuk janë gazetari. Dokumentet mund të keq-udhëheqin aq lehtë, sa edhe burimet e tjera. Funksioni i gazetarëve ende duhet të kryhet sa me më shumë kujdes dhe përgjegjësi. Kjo nënkupton konfirmimin të saktësisë së përmbajtjes së çfarëdo dokumenti të veçantë”, tha Aftergud.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›