E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, ishte ndarë nga gruaja, plagos i dehur kushëririn e saj dhe një person



Ka plagosur me thikë kushëririn e ish-gruas së tij dhe një person tjetër në gjendje të dehur. Më pas, ka qëlluar në ajër me një armë automatike në banesën e tij, duke frikësuar njerëzit dhe në fund ka rënë në prangat e uniformave blu.

Policia ka arrestuar 25-vjeçarin Hektor Jonuzi, lindur dhe banues në fshatin Gurë të Përmetit. Ai akuzohet se ka plagosur 21-vjeçarin me inicialet A.Ç. dhe një shokun e tij që gjendej rastësisht me të, 25-vjeçarin Sokol Rustemi, që të dy banues të këtij fshati.

I riu është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Përmetit, për t’u marrë në pyetje.

Ngjarja

Rreth paradites së djeshme është drejtuar për në banesën e ish-gruas së tij, në gjendje të dehur dhe i armatosur me një thikë. Prej disa muajsh ai ishte ndarë me të, por duket se këtë gjë nuk e kishte pritur mirë. Ndërsa ai i është afruar banesës së ish-gruas, djali i xhaxhait të gruas dhe një shoku i tij i janë drejtuar për ta ndaluar. Por në gjendje të dehur dhe i armatosur me thikë, 25-vjeçari ka reaguar dhunshëm. Ai ka nisur t’i sulmojë ata, duke i plagosur. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndaj dy të plagosurve është dhënë ndihma e parë duke i dërguar në spitalin e qytetit të Përmetit.

Jonuzi është fshehur në banesës e tij, ku ka marrë një armë zjarri tip kallashnikov dhe ka gjuajtur në ajër për disa minuta. Policia është lajmëruar nga një telefonatë dhe ka shkuar në vendin e ngjarjes. Në momentin e mbërritjes së forcave të policisë, ai e ka fshehur armën e zjarrit në afërsi të banesës, duke e mbuluar me gurë tek një ndërtesë që ishte në ndërtim dhe më pas është fshehur. Pas rrethimit të vendit, duke larguar banorët përreth për shkaqe sigurie, policia nisi negociatat dhe bëri të mundur kapjen dhe arrestimin e tij, duke mos ndeshur në rezistencë nga ana e 25-vjeçarit.

Gjatë kontrollit të kryer janë gjendur edhe thika me të cilën u plagosën të rinjtë dhe arma e zjarrit me të cilën i arrestuari qëlloi. Ndaj tij u krye menjëherë arrestimi në flagrancë. 25-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale të “plagosjes së lehtë”, “armëmbajtjes pa leje”, si dhe për “prishje të qetësisë së rendit publik”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›