Sherri i çastit, vret me mjete të forta 37-vjeçarin
Një 37-vjeçar ka humbur jetën, pasi është qëlluar me mjete të forta nga një adoleshent pas një sherri të çastit. Sipas burimeve nga policia, viktima është Pajtim Elezaj, banues në Shkozë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Shkozë. Policia e kryeqytetit vuri në pranga autorin e krimit, i cili është 18-vjeçari Fajton Leka. Sipas burimeve nga policia, në momentin e krimit, autori dhe viktima kanë qenë në gjendje të dehur. Policia shoqëroi në komisariat autorin e ngjarjes.
Hetimet
Rreth orës 07:00 të mëngjesit të ditës së djeshme është gjendur nga policia trupi i pajetë i 37-vjeçarit Pajtim Elezaj. U ngrit menjëherë një grup pune, për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Nga dëshmitë e marra nga vendi i ngjarjes, viktima dhe autori i krimit kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Më pas ata janë përplasur fizikisht duke u goditur me grushte. 18-vjeçari, i ndihmuar edhe nga një person tjetër, ka nisur të qëllojë me gurë dhe shkopinj ndaj viktimës, duke i shkaktuar atij dëmtime të mëdha. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima si pasojë e humbjes së madhe të gjakut ka gjetur vdekjen. Policia organizoi menjëherë punën, duke vënë në pranga më pas autorin e dyshuar, në rrugën “Aleksandër Moisiu” në afërsi të Freskut, Tiranë, falë informacioneve të poseduara nga strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Gjithashtu, sipas burimeve zyrtare, në lidhje me këtë ngjarje është marrë masa e arrestit në flagrancë për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndaj shtetasit Altin Koldashi, 25 vjeç, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit në këtë vrasje. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike m – 56. Në bazë të hetimit të kryer, rezultoi se prezent në momentin e ngjarjes ka qenë edhe 34-vjeçari Refik Kurti, i cili do të procedohet në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. Sipas burimeve nga policia, gjatë momentit të kryerjes së krimit, autori i saj dhe viktima kanë qenë në gjendje të dehur. Një konflikt i çastit mes të dyve ka çuar në ngjarjes që i mori jetën 37-vjeçarit. Adoleshenti i arrestuar, Fatjon Leka, u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”.