E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugova thotë se është kërcënuar

Mujë Rugova, Rektor i Universitetit të Prishtinës, thotë se është kërcënuar me vdekje. Për herë të parë Rugova këtë e bëri publik në mbledhjen e Senatit të këtij universiteti publik. Madje ai tha se e di nga kush është kërcënuar. Përgjegjësinë për kërcënimin me vdekje të bërë përmes telefonit, të martën Rugova e drejtoi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Arsyeja për këtë kërcënim, i cili sipas rektorit, ka ndodhur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në vend, është angazhimi i tij në fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Nuk kam dashur ta bëj publike kërcënimin që më është bërë gjatë fushatës zgjedhore, për të mos ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e fushatës, është shprehur rektori i UP-së.
Por një deklarim të tillë e kundërshton në mënyrë kategorike Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së.

Në rast se ka ndodhur kështu, atëherë kjo duhet të lajmërohet në organet kompetente. E ftoj Rektorin Rugova që ta bëjë këtë, në rast se nuk e ka bërë ende, thotë Ramadani për Express. Madje sekretari i përgjithshëm i kësaj partie thotë se në rast se rektori Rugova vërtet është kërcënuar, lirisht ai le të publikojë emrat e atyre personave që e kanë bërë këtë. Nuk e kemi problem, dhe nëse dikush del që e ka kërcënuar, qoftë edhe unë, Burim Ramadani, atëherë ne do të insistojmë që ai person të dërgohet para organeve të drejtësisë, thotë Ramadani.

Por Rektori Mujë Rugova është shprehur se tashmë e ka bërë një gjë të tillë, duke e lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës dhe në KFOR.

Ai është shprehur se rastin e kërcënimit nëpërmjet telefonit nga AAK-ja, me kohë e ka paraqitur në këto dy organe të sigurisë.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të AAK-së thonë se janë të bindur se kërcënimet nuk janë gjuhë e kësaj partie. Ne jemi plotësisht të bindur se kjo nuk është gjuhë e Aleancës dhe se Aleanca asnjëherë nuk është marrë me pjesëmarrjen e rektorit në fushatë. Përkundrazi, bindja jonë është që pjesëmarrja e rektorit në fushatë, vetëm sa e ka dëmtuar PDK-në, thotë Burim Ramadani për Express. I pyetur nga gazeta që pas hetimeve në rast se del e kundërta, pra që rektori i UP-së është kërcënuar nga AAK-ja, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie tha se me këtë duhet të merren organet e drejtësisë.

Insistojmë që organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vet dhe jemi plotësisht të hapur në këtë çështje, me të cilën duhet të merren vetëm organet e drejtësisë, shpjegon Burim Ramadani.
Gazeta është përpjekur gjatë tërë ditës së martë të kontaktojë rektorin Mujë Rugova, për të sqaruar më shumë në lidhje me këtë çështje, por kjo ishte e pamundur. Ndërkohë, rreth orës 16 të së njëjtës ditë, Senati i UP-së dërgoi një letër reagim, të mbështjellë në zarf.

Në këtë letër, e cila, përveç vulës, nuk ka nënshkrimin e askujt, reagimi dënon ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në UP, duke mos përmendur asnjë emër apo se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Sipas letrës, Senati i UP-së i gjykon si të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha rastet e kërcënimeve dhe të cenimit të dinjitetit dhe personalitetit të stafit akademik si dhe punonjësve të tjerë të Universitetit.

U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse (të sigurisë dhe drejtësisë) që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për dënimin dhe parandalimin e këtyre akteve të kundërligjshme, në mënyrë që të garantohet siguria e personalit të UP-së dhe të ruhet autoriteti i këtij institucioni, thuhet në këtë reagim të Senatit të UP-së.

Përndryshe, Mujë Rugova, rektor i UP-së, institucionit më të lartë të arsimit publik në vend, është zgjedhur në këtë detyrë në korrik të këtij viti.

Çka thotë policia?
Të pyetur nga Expressi në lidhje me këtë informacion, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se është e pamundur që një gjë e tillë të konfirmohet brenda ditës. Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, sqaron se ka kërkuar nga organet e brendshme përkatëse të policisë për të konfirmuar këtë informacion, por sipas tij, kjo është e pamundur të bëhet brenda një dite, ngase nuk dihet se në cilin stacion është lajmëruar rasti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›