E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtim masash kundër kontrabandës së naftës në Kosovë

 

PRISHTINE-Policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës kanë shtuar aktivitetet e tyre në luftën kundër kontrabandës me derivatet e naftës.
BBC bëri të ditur sot se zyrtarët kanë pohuar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe djegies së dy pikave doganore në kufi me Serbinë, ka pasur një shtim të kontrabandës së mallrave.
Humbjet që i janë shkaktuar buxhetit për shkak të mosfunksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës konsiderohen të jenë 8 deri në 10 milionë euro.

Udhëheqësi i ekipit antikontrabandë në Shërbimin Doganor, Bashkim Arifi, ka bërë të ditur se rreth 300 mijë litra derivate të naftës kontrabandë janë konfiksuar nga policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës në rajonin e Mitrovicës që nga fillimi i këtij viti.

"Derivatet e kontrabanduara hyjnë nga Serbia. Faktikisht, është një invazion jo vetëm me derivate, por edhe me mallra të tjerë që kanë vlerë. Mendoj se kemi arritur që t'i parandalojmë dhe t'i zëmë një numër rastesh të tentativave për kontrabandë", tha për BBC-në zoti Arifi.
Zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se policia ka arritur që t'ua vështirësojë në masë të madhe veprimtarinë kontrabandistëve përmes shtimit të masave të kontrollit në rrugët që lidhin pjesën veriore të Mitrovicës me atë jugore.

Sipas BBC, këtë muaj policia ka identifikuar edhe disa pika të karburanteve të cilat janë furnizuar me mall kontrabanë. Javën e kaluar u mbyllën tri pika karburanti, ndërsa këtë fundjavë grupi punues për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në rajonin e Mitrovices ka ndërmarrë një operacion të jashtëzakonshme në shtatë pika karburanti ku ka konfiskuar dokumente për hetime të mëtejme.

Lidhur me këtë fenomen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se qeveria nuk do të lejojë që pjesa veriore e vendit të bëhet bazë e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Nga ana e saj, shoqata e Naftarëve të Kosovës i ka kërkuar qeverisë që të rifunksionalizojë dy pikat doganore në kufi me Serbisë ose të gjejë ndonjë alternativë tjetër për të penguar hyrjen e derivateve me cilësi të dyshimtë.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, beson se rihapja e dy pikave doganore në Zubin Potok dhe në Leposaviç nuk do të vonojë.

Pak ditë më parë, UNMIK-u caktoi një zyrtar të tij, diplomatin nga Zelanda e Re, Andreë Ladley, për të zhvilluar bisedime me qeverinë në Beograd për rihapjen e dy pikave doganore në kufirin Kosovë-Serbi.

Autoritetet ndërkombëtare thonë se vendosja e doganierëve kosovarë në kufi me Serbinë është në interesin e të dyja palëve me qëllim të parandalimit të kontrabandës së mallrave dhe formave të tjera të krimit të organizuar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›