Shtimi i aborteve për mungesë informacioni
Numri i aborteve në Shqipëri ka ardhur duke u rritur. Kështu nga 2-3 % që kanë qenë para disa vitesh, shifrat kanë arritur në 15%. Të dhënat janë referuar në takimin e organizuar dje në ambientet e hotel "Sheraton", në kuadër të aktiviteteve për ditën Botërore të Kontracepsionit. Sipas specialistëve që referuan në takim, rritja e numrit të shtatzënive të padëshiruara, ka ardhur edhe si pasojë e mungesës së informacionit mbi kontracepsionin. Pjesëmarrësit në takim theksuan nevojën e një propagande të vazhdueshme rreth kësaj teme, dhe jo vetëm kur ka evenimente kalendarike. Dita Botërore e Kontracepsionit mbështetet financiarisht nga "Bayer Schering Pharma AG", një kompani farmaceutike botërore, që ka një histori të gjatë në kujdesin e shëndetit të gruas dhe është e angazhuar të përmirësojë edukimin mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Kjo iniciativë është mbështetur dhe përkrahur nga fondacioni "Nesmark", Qendra shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, dhe Ministria e Shëndetësisë.