Ndotja, përplasje për TEC në Durrës
DURRES / OERD ULQINI
Nis me debate të forta prezantimi i projektit për parkun energjetik të Porto-Romanos. Pika më e diskutuar ishte mosparaqitja nga ana e specialistëve italianë e nivelit të gazit CO2, që do të emetojë në atmosferë termocentrali. Ndërsa të huajt pohuan se niveli i ndotjes do të jetë në përqindje të ulëta, ambientalisti Sazan Guri theksoi se, "TEC-i në Porto-Romano, do të prodhojë të njëjtën sasi dioksid karboni që prodhon aktualisht e gjithë Shqipëria".
Brenda vitit 2014 në Porto-Romano të Durrësit do të ndërtohet një termocentral gjigant me qymyr, kapaciteti i të cilit do të jetë 1600 mega. Jetëgjatësia e këtij termocentrali do të variojë nga 25-30 vjet, pas inaugurimit. Ai do të ketë dy njësi dhe dy rrjete shpërndarjeje, një ajror për të furnizuar Tiranën dhe një nëndetar për të furnizuar me energji elektrike Italinë e jugut. Linja ajrore me Tiranën është parashikuar të jetë 400 kilovolt, ndërsa ajo nëndetare 500 kilovolt. Sipas specialistëve, linja nëndetare e Porto-Romanos mund të shërbejë në ndonjë rast emergjence edhe për të importuar energji nga Italia. Në fshatin Bisht-Kamëz të Katundit të Ri është diskutuar gjerë e gjatë mbi projektin që lufton terrin, por që njëkohësisht sjell dëme mjedisore për detin dhe tokën. Të gjelbërit e quajnë këtë një "kolonizim energjetik" që Italia synon të instalojë në Shqipëri. Nga ana tjetër specialistët italianë e cilësojnë si të domosdoshëm ndërtimin e këtij termocentrali, pasi ai mbetet mënyra e vetme për të furnizuar tregun vendas dhe për të eksportuar tepricat. "Qymyri është një burim i mirë dhe i pastër energjie, këtë e them duke u bazuar tek teknologjia që do të përdorim. Ai mund të sigurohet lehtë dhe nuk është në varësi të gjeopolitikës. Në Evropë po i rikthehen qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike. Aktualisht në Romë po ndërtohet një termocentral, i cili do të ketë të njëjtat standarde me ato që do të përdorim në Durrës. Nuk ka vend për panik. Përsa i përket dioksidit të karbonit në atmosferë mund të them se ai është një problem global. Gjithsesi niveli i ndotjes nga ky termocentral do të jetë i papërfillshëm, pasi ne aty do të përdorim teknologjitë më të avancuara", tha specialist i E.R.M. Giuseppe Filauro. Lënda e parë djegëse, qymyri, do të importohet. Ajo do të shkarkohet përmes kontejnerëve në Pontilin e Porto-Romanos. Italianët argumentuan se "është shmangur shkarkimi i qymyrit rifuxho, për të mos lejuar përhapjen e pluhurit të qymyrit në atmosferë. Sipas tyre, ky termocentral dhe kjo metodë shkarkimi cilësohet në Evropë si "qymyri i pastër". Kompleksi energjetik do të punësojë për një periudhë 30-vjeçare 220 persona. Mësohet se uji i detit do të përdoret për ftohjen e termocentralit, ndaj është synuar ngritja e tij në bregdet, në rreze deri 300 metra nga bregu. Shoqatat ambientaliste e kundërshtuan shumë këtë fakt, duke argumentuar se ai mund të sjellë pasoja për florën dhe faunën detare. Ngjitur me parkun energjetik të Porto-Romanos ndodhet laguna e Bisht-Kamzës. Ajo është e rrethuar me gjelbërim të përhershëm dhe përbën një rezervat natyror për qarkun. Sipas specialistëve italianë, ngrohja e detit do të jetë shumë e kufizuar, ndërsa rreziku i shirave acidë i papërfillshëm për komunitetin e Durrësit. Prezantimi i kompleksit energjetik të Porto-Romanos është bërë me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mjedisit, komunës Katund i Ri, Agjencisë Rajonale të Ambientit dhe sipërmarrjeve italiane "ENEL", "ERM" dhe "3E Ingegnieria".
Guri: Ndotja, në një zonë me rreze 50 km
"Një kolonizim energjetik të Italisë mbi Shqipërinë". Të tillë guxuan ta quajnë këtë projekt ambientalistët shqiptarë. Të veshur me bluza të gjelbra dhe tepër të vendosur për sa i përket transparencës së plotë, ata kërkuan shpjegime për nivelin e ndotjes nga dioksidi i karbonit. Sipas ambientalistëve, nga niveli i lartë i CO2 që do të emetojë TEC-i në atmosferë Durrësi dhe Tirana do të preken nga shirat acidë. "Kjo është një zonë ku njerëzit jetojnë me peshkim, bujqësi dhe turizëm. Shirat acidë do të ishin një katastrofë e vërtetë jo vetëm për Porto-Romanon dhe rezervatin natyror të Bisht-Kamzës, por edhe për dy metropolet e vendit", tha në debat Sazan Guri. Sipas tij, e gjithë zona në një rreze prej 50 km do të vuante pasojat. "Përse nuk e ndërtoni një TEC të tillë në Pulia dhe të na e shisni neve energjinë me kabllon nëndetar?". Kjo ishte pyetja e ambientalistëve drejtuar italianëve, përgjigjja e të cilëve ishte se "Një termocentral të tillë po e ndërtojmë në Romë".