E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tomori, në skaner të gjithë futbollistët

Nga RUSHAN DOSTI
Pas humbjes me Laçin, drejtuesit e klubit dhe stafi teknik, në prani të tifozëve, kanë bërë një analizë me detaje
Pas rezultatave të dobëta në këto 5 javë të kampionatit, skuadra e Tomorit do të ketë një tjetër provë të vështirë, atë me Kamzën në fushën e kësaj të fundit. Do të jenë përballë dy skuadra debutuese dhe që e njohin më dhëmbë e dhëmballë njëratjetrën, madje sezonin e kaluar rivalizuan gjatë për të ardhur deri në superligë. Beratasit vijnë pas asaj humbjeje shokuese me Laçin, ndërkohë që kamzalinjtë nga barazimi në fushën e vështirë të Korçës. Situata në kampin beratas, para këtij takimi të rëndësishëm, vijon të jetë e nderë, për faktin që futbollistët janë vënë përballë një presioni publik si kurrë ndonjëherë më parë.
Komuniteti sportiv ka gjetur edhe mbështetjen e drejtuesve të klubit, duke kërkuar nga secili futbollist atë përgjegjësi që kërkon fanella e skuadrës beratase, as më shumë e as më pak. Kjo është arsyeja që para nisjes së stërvitjes për takimin me Kamzën, drejtuesit e klubit, stafi teknik dhe një përfaqësi e shoqatës së tifozëve kanë zhvilluar një analizë të detajuar për humbjen e radhës dhe për gjithë situatën aspak të këndshme që është krijuar në këto 5 javë kampionat.
Fokusi i gjithë kësaj analize kanë qenë rezultatet e dobëta dhe ndjenja e paktë e përgjegjësisë nga shumë prej futbollistëve titullarë, kontributi i të cilëve po ndihet fare pak, për të mos thënë aspak. Edhe spe kjo analizë u zhvillua me dyer të mbyllura, nuk ka qenë e vështirë për të marrë vesh të vërtetën, ku problemi më debatues mes drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe përfaqësuesve të shoqatës së tifozëve ka qenë dalja nga kriza ku skuadra është zhytur. Nga futbollistët, të cilët kanë qenë dhe objekt i kritikave të shumta, është kërkuar që ti arrijnë objektivat në përputhje me kontratat që kanë nënshkruar, mbi të gjitha të shfaqin shpirtin e grupit, gjë që ka munguar totalisht në takimet e zhvilluara.
Apeli Fanella e Tomorit është e rëndë për tu mbajtur, ndaj kërkohet nga secili futbollist që ta respektojë atë nëpërmjet rezultateve konkrete. Askush nuk duhet ta konsiderojë veten lojtar i Tomorit nëse nuk arrin të jap atë kontribut që i nevojitet skuadrës për të qëndruar në superligë, – është mesazhi që ka dalë nga kjo analizë. Pas analizës, një grup tifozësh ka zhvilluar një takim tjetër, ku në mënyrë të ashpër ka kërkuar nga firma ndërtuese përshpejtimin e punimeve për shtrimin e fushës, në të kundërt ata do të radikalizojnë veprimet, deri në moslejimin e saj për të vazhduar më tej punimet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›