Shqiptarët me leje qëndrimi në Itali mund të punësojnë imigrantë
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” publikon përgjigjet mbi pyetjet më problematike të emigrantëve shqiptarë për Dekretin e Flukseve 2010. Këto përgjigje janë kthyer nga Ministria e Brendshme italiane.
1. Ju lutemi të na përcaktoni se ku qëndron ndryshimi mes 52 punonjësve sezonalë, të cilët mund të pranohen duke filluar nga 31 janari, dhe 30 mijë punonjësve josezonalë, të cilët mund të pranohen duke filluar nga 2 shkurti?
Duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për të legalizuar emigrantët që punojnë në të zezë, por këto shifra përcaktojnë numrin e emigrantëve që do të pranohen në Itali për kategoritë dhe nevojat e punësimit që ka vendi. 52 mijë punëtorët sezonalë duhet të jenë nga vendet që janë listuar në Dekretin e Flukseve 2010. Ndërsa 30 mijë punëtorët e tjerë do të pranohen nga vendet e tjera, por vetëm për punët shtëpiake apo dhe për ndihmesën e personave të paaftë.
2. Kisha bërë një kërkesë për punë në kohën e Dekretit të Flukseve 2007. Deri sot nuk kam marrë asnjë përgjigje. A mund të paraqes një kërkesë të re për Dekretin e ri?
Mungesa e përgjigjes për kërkesën e punës që është bërë në vitin 2007 nuk ka asnjë lidhje me Dekretin e ri të flukseve. Rrjedhimisht ju jeni të lirë të bëni një kërkesë tjetër.
3. Nëse nuk mund ta bëj vetë kërkesën online, a mund t`i drejtohem një personi tjetër që të bëjë kërkesë për mua?
Kërkesa bëhet online në sajtin e Ministrisë së Brendshme italiane dhe ka lidhje me zgjedhjen e punëdhënësit të duhur. Kërkesa mund të plotësohet nga kushdo, mjafton që të futen të gjitha të dhënat e duhura për personin. Ministria e Brendshme ka bërë marrëveshje me të gjitha sindikatat dhe punëdhënësit që janë përfshirë në këtë dekret dhe ju mund të kërkoni ndihmën e çdo rangu që dëshironi.
4. Cilat janë dokumentet që duhen për të paraqitur kërkesën?
Kërkesa dërgohet me anë të internetit, pra nuk duhet të ketë asnjë lloj dokumenti shoqërues. Dokumentacioni do të paraqitet në momentin e thirrjes në zyrat ku do të lëshohet “Nulla Osta”. Lista e dokumenteve që do t`ju duhet do të jetë në letrën që do t`ju paraqitet për tërheqjen e “Nulla Osta”-s. Megjithatë, në zgjedhjen e kërkesave për punë, përveç kushteve të punës, keni të listuar dhe dokumentet që ju duhen për përfitimin e saj.
5. Çfarë ndodh nëse kërkesa plotësohet me anë të ndihmës së dikujt dhe nuk arrin në kohë?
Sistemi i përpilimit të kërkesës do të jetë tërësisht automatik. Do t’i besohet vetëm momentit që sistemi do të përcjellë kërkesën. Ky moment, për shkak të ngarkesave të internetit, mund të mos përputhet me kohën reale të dërgimit të kërkesës. Konfirmimi i kërkesës do të përcaktojë saktësisht momentin kur është nisur kërkesa. Të gjitha kërkesat do të trajtohen veçmas nga programi, edhe ato që mund të jenë nisur në grup. Kërkesat për punë të bëra nga një ndërmarrje e vetme në grup do të trajtohen të ndara sipas kushteve që duhen plotësuar.
7. A mund të punësohet një person për të cilin ka një dokument dëbimi?
I huaji që do të bëjë kërkesë për punë duhet të jetë në rregull me ligjet në shtetin italian. Personi që është përjashtuar nga Italia për shkelje, të çdo lloj natyre qofshin, nuk ka të drejtë të hyjë në këtë vend për dhjetë vitet e ardhshme. Përjashtim bëjnë vetëm rastet që marrin nga Ministria e Brendshme italiane autorizimin e punësimit.
8. Ndihma në plotësimin e kërkesës është e paguar, apo jo?
Të gjitha procedurat për përpilimin e kërkesës janë falas. Kërkesat për pagesë nga shoqëritë apo ndërmarrjet e ndryshme nuk varen nga Ministria e Brendshme.
9. A mundet një i huaj që ka vetëm leje qëndrimi italian të punësojë një të huaj tjetër?
I huaji me leje qëndrimi në Itali mund të kërkojë punësimin e një të huaji tjetër me kushte të barabarta me një qytetar italian. Edhe në rastet kur pritet që të rinovohet leja e qëndrimit mund të paraqitet kërkesa.
10. Kush ka një dekret dëbimi mund të thirret nga një punëdhënës në kuadrin e Dekretit të Flukseve 2010?
I huaji jokomunitar që thirret duhet të jetë në rregull me ligjet italiane në fuqi. Kush ka marrë një dekret dëbimi, nuk mund të hyjë në Itali për 10 vjet, me përjashtim të rastit kur i interesuari ka arritur të marrë autorizimin special të hyrjes në Itali, të lëshuar nga Ministria e Brendshme, sipas nenit 12, paragrafi 13, i tekstit unik mbi imigracionin.
11. Kam ardhur në Itali për turizëm. A mund të kërkoj një punëdhënës të gatshëm për të paraqitur kërkesë për mua? Jam i penalizuar, apo i favorizuar që gjendem në Itali?
Fakti që je në Itali për turizëm do të thotë vetëm një gjë: nuk mund të punësohesh. Por ke në favorin tënd faktin që nëse njeh një punëdhënës që mund të jetë edhe një familjar i yti, mund të përfitosh nga Dekreti i Flukseve 2010. Punëdhënësi duhet të paraqesë për ty kërkesë për një kuotë të flukseve dhe nëse përgjigjja është pozitive, do të shkosh në konsullatën italiane e do të pajisesh me vizë hyrjeje për punë të varur. Ndërkaq, nuk duhet të presësh në Itali derisa të arrijë përgjigjja e kërkesës për kuotën e flukseve: për sa kohë je si turist, nuk duhet të qëndrosh për më gjatë se tre muaj.
20 Janar 2011