E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen ankesat për tenderët online, në tetë muaj sa për gjithë vitin 2008

Nuk kaluan 24 orë nga miratimi i ligjit të ri për prokurimin publik në Kuvend që vendos pagesa për ankimim dhe ja ku dalin të dhënat e fundit mbi numrin e apelimeve. Situata nuk duket edhe aq pozitive, po të shikosh se numri i ankesave deri në muajin shtator 2009 është aq sa i gjithë viti 2008. Të dhënat publikohen çdo muaj nga Avokati i Prokurimeve, sipas të cilit, për periudhën janar-shtator pranë tij janë paraqitur 470 ankesa. Kjo shifër është më e lartë se totali i ankesave për vitin 2008, të cilat llogariteshin në 350. Pika kulmore e ankesave ishte në muajt qershor-gusht, që përkon edhe me shpenzimet e larta të qeverisë në objekte të ndryshme infrastrukturore.

Gjithashtu, Avokati i Prokurimeve vijon të marrë ankesa në lidhje me procedurat e tenderimit për koncesionet, kryesisht në hidrocentrale. Në disa raporte kontrolli të Avokatit të Prokurimeve, bie në sy numri i lartë i shkeljeve në koncesionet e HEC-e, aq sa konflikti me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka qenë i dukshëm.

Megjithatë, mësohet se të dyja palët kanë rrugën e bashkëpunimit, me qëllim që të mbrohen interesat e biznesit, por edhe të gjenden zgjidhje të duhura.

Tashmë me ligjin e ri, të miratuar dy ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, kushdo biznes që kërkon të ankimojë tenderin, i duhet të paguajë para. Niveli që do të paguajë vendoset nga qeveria, por mendohet të jetë një përqindje mbi nivelin e fondit të investimit në tender. Po atë ditë, kur u miratua ligji, ministri i Shtetit, Genc Pollo, tha se aplikimi i tenderëve online ka rritur pjesëmarrjen e bizneseve në prokurime, për shkak se procedurat janë tepër transparente dhe askush nuk mund të ngrejë pretendime. Por shifrat e Avokatit të Prokurimeve reagojnë të kundërtën.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›