E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Mungon serioziteti në hartimin e teksteve

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka pranuar publikisht në Korçë se reforma e teksteve ka pasur mangësi. Problemet me tekstet shkollore, që më shumë vijnë nga autorët, Tafaj i ka përmendur gjatë një analize në Drejtorinë Arsimore të Korçës. Ministri ka qenë kritik kur ka thënë se nuk tregohet serioziteti i duhur për tekstet që kalojnë në duar të nxënësve dhe që edukojnë një brez të ri. Sipas tij, duhet që tekstet shkollore të hartohen nga autorë që janë specialistë të shkencave përkatëse. "Reforma ka mangësi jo në procedura, por në seriozitetin e punës së njerëzve që përfshihen në të gjitha hallkat e shkrimit dhe të vlerësimit të teksteve të reja. Në analizën që kemi bërë ne, duke u konsultuar edhe me ekspertë mjaft të mirë të fushës, na rezulton se hallka e parë e vështirësisë është se vlerësohet më shumë shtëpia botuese se sa vetë autori. Ne do të vlerësojmë në radhë të parë CV-në e autorit dhe tekstet që konkurrojnë duhet të vijnë nga autorë që vërtet kanë lexuar, studiuar e janë me emër në shkencën për të cilën bëjnë tekstin", ka thënë Tafaj. Ministri i Arsimit ka qenë kritik edhe ndaj një tjetër momenti, atij të vlerësimit të teksteve. Sipas Tafaj, do të shikohet mundësia e angazhimit të ekspertëve më të mirë, por dhe të ekspertëve të huaj të albanologjisë. "Duhet të përmirësojmë procedurat edhe ndaj një momenti tjetër të rëndësishëm, siç është vlerësimi i teksteve me angazhimin e ekspertëve më të mirë në vend dhe atyre të huaj, albanologë, për të vlerësuar me objektivitetin maksimal, sidomos pjesën e shkencave që shkon te nxënësi", deklaroi ministri nga qyteti i Korçës. Tafaj ka përmendur në këtë takim edhe përpjekjet që duhet të bëhen në vijimësi për të zbutur analfabetizmin dhe braktisjen e shkollave, kryesisht në zonat e thella malore që janë prekur nga lëvizja e popullsisë. Ai tha se prioritet në arsim do të jetë cilësia.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›