Më shumë leje transporti për biznesin shqiptar
Ministri italian i Transporteve, Altero Matteoli, është angazhuar për zgjidhjen e problemit të autorizimeve për transportuesit shqiptarë drejt Italisë, angazhim të cilin e mori gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin Sokol Olldashi në Napoli. Problemi i autorizimeve të transportuesve shqiptarë drejt Italisë ndeshet çdo fundviti, për shkak të numrit të kufizuar të tyre nga pala italiane. Për këtë arsye, ministri ynë kërkoi një shtesë të numrit të autorizimeve, për shkak të kërkesave gjithnjë e në rritje të transportuesve shqiptarë drejt Italisë. Një tjetër kërkesë vjen nga pala shqiptare drejtuar kësaj here ministrit francez të Transportit. Të dy ministrat kanë diskutuar për vënien në përdorim të kohëmatësit dixhital (digital tachograf) për transportuesit shqiptarë. Ministri francez u angazhua të asistojë Shqipërinë në procesin e prodhimit të kartave të kohëmatësit dixhital për ta realizuar atë brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Takimet u zhvilluan gjatë Konferencës së Rrjetit Pan-Europian të Transportit (TEN-T Days 2009).