E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si taksohen makinat e përdorura

Ndonëse shqiptarët në gjuhën e përditshme janë mësuar t‘i quajnë taksat që paguajnë për importimin e makinave thjesht si "doganë", në fakt shuma e parave përbëhet nga taksa e ndotjes dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Agjencitë doganore, të cilat kryejnë llogaritjet për praktikën e importit përkundrejt një pagese që varion nga 5 deri në 10 mijë lekë, llogarisin fillimisht taksën e ndotjes, e mbledhin taksën e ndotjes me vlerën e makinës dhe i shtojnë 20 për qind TVSH. Taksa e ndotjes dhe TVSH-ja totale përbëjnë edhe detyrimin fiskal që shqiptarët zakonisht e quajnë thjesht "doganë."

Llogaritja e taksës së ndotjes

Për një makinë me naftë me motor 1900 centimetër kub, (një motor shumë popullor për një gamë të gjerë makinash me naftë të shtresës së mesme), fillimisht shumëzohet madhësia e motorit 1900 me 25,000, e cila është taksa bazë për naftën. Totali shumëzohet me koeficientin e vjetërsisë. Për një makinë më shumë se dhjetëvjeçare, taksa e ndotjes është gjithsej 228 mijë lekë.

Si llogaritet TVSH

Një llogaritje e thjeshtë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar konsiston në mbledhjen e çmimit të blerjes së makinës (konvertuar me kursin e këmbimit të ditës së zhdoganimit), me taksën e ndotjes. Mbi shumën totale, nxirret TVSH 20 për qind. Në rastin e Golfit të shembullit tonë, vlera e makinës është 150 mijë lekë dhe totali mbi të cilin llogaritet TVSH është 378 mijë lekë. Në fund, TVSH detyrim është 75600 lekë. Totali i detyrimit ndaj doganave në rastin konkret është TVSH plus taksë ndotjeje ose pak më shumë se 300 mijë lekë.

Vlera e makinës

Doganat pranojnë kontratën e blerjes së makinës vetëm në rast se vlera e saj është më e lartë sesa çmimet referencë të përdorura nga administrata doganore. Për makinat deri në 10 vjet, çmimet referencë të zbatuara nga doganat merren nga revista italiane quattroruote. Çmimeve të quattroruote u zbritet 30 për qind e vlerës. Për disa lloje makinash, qëllon që vlera reale të jetë më e lartë sesa çmimi i referencës. Për makinat mbi 10 vjet, doganat kanë përcaktuar çmime reference sipas cilindratës. Në total, sa më të vogël ta ketë cilindratën një makinë, aq më e ulët është edhe detyrimi fiskal që paguhet në dogana.

Llogaritë e komplikuara të kostos së taksave doganore ndoshta nuk do të jenë të nevojshme në të ardhmen, për shkak se Bashkimi Europian i ka kërkuar sakaq qeverisë shqiptare të heqë taksën e ndotjes. Në rast se kjo taksë hiqet, atëherë detyrimi i vetëm fiskal i qytetarëve do të jetë pagimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në masën 20 për qind të vlerës së makinës së importuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›