E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valë aksidentesh në Tiranë 4 të vdekur dhe 7 të plagosur

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në afërsi të Fushë-Prezës, në rrugën e vjetër të Rinasit. Nga përplasja ballore e dy makinave kanë mbetur të vdekur katër persona, ndërkohë që dy të tjerë janë plagosur. Në aksident është përfshirë një makinë tip "Golf" dhe një "Mercedes Benz", njëra me targa të Laçit dhe tjetra me targa të Kosovës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe sipas saj, personat e plagosur janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak. Po ditën e djeshme janë shënuar edhe katër aksidente të tjera, ku janë plagosur pesë persona.
Aksidenti tragjik
Sipas burimeve të policisë, aksidenti i rëndë, ku mbetën të vdekur katër persona, ka ndodhur nga përplasja ballore e dy makinave. Policia ka dërguar të plagosurit në spital, ndërkohë që viktimat janë dërguar në morgun e Tiranës. Burimet e policisë tregojnë se në makinën me targa të Laçit udhëtonin dy të rinj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave, Jani Doda dhe Genti Poga, përkatësisht 22 dhe 23 vjeç, janë dërguar në spital dhe janë në gjendje të rëndë për jetën. Të dy udhëtonin me
makinën e markës "Mercedes Benz", me targa LA 6862 A. Ndërsa në makinën tjetër, udhëtonin katër shqiptarë nga Kosova, mes të cilëve edhe një femër. Tre prej tyre, bashkë me femrën, janë dërguar me urgjencë për në spital, por kanë vdekur rrugës, ndërsa drejtuesi i mjetit "Mercedes Benz", ka vdekur në vend. Madje janë dashur disa orë për nxjerrjen e trupit të tij nga mjeti. Në orët e mbrëmjes, policia ka mundur të bëjë edhe identifikimin e viktimave. Të vdekur në aksident kanë mbetur Beqir Hasani, 65 vjeç, drejtues i mjetit tip "Wolksvagen" me targa Kosove, 201 KS929, Ramush Reshiti, 58-vjeçar dhe bashkëshortja e tij, Hapa Reshiti, 56 vjeçe. Ndërkaq, po punohet edhe për identifikimin e personit të katërt. Menjëherë për këtë aksident kanë nisur edhe hetimet. Sipas të dhënave të para hetimore, burim i aksidentit është bërë shpejtësia me të cilën lëviznin mjetet dhe lagështia e rrugës. Megjithatë, mendohet se ka qenë një humbje e kontrollit nga ana e laçianëve, që kanë sjellë aksidentin tragjik. Aksidenti ka shkaktuar bllokimin e lëvizjes së mjeteve në të dy anët e rrugës automobilistike.
5 të plagosur të tjerë
Ndërkaq, policia ka shënuar edhe katër aksidente të tjera. Sipas të dhënave, në një aksident treni ka përplasur një 27-vjeçar. Policia tha se pikërisht rreth orës 16:40, pranë uzinës Dinamo, makinisti Shaban K., 62 vjeç, me banim në Durrës, duke drejtuar trenin e linjës Durrës-Tiranë, me lokomotivë, nr. 1057, ka aksidentuar Dorian Ramazanin, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, nga seksioni i hetimit të aksidenteve janë dërguar për ndjekje penale dy drejtues mjetesh, që kanë sjellë dy të plagosur të tjerë. Sipas të dhënave hetimore, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Ermal Ç., 20 vjeç, sepse në orën 20.45, në autostradë, në Gërdec, te firma "Euro Plast", duke drejtuar mjetin "Volkswagen", me targë AZ 901 JC, ka dalë nga rruga dhe për pasojë është aksidentuar drejtuesi dhe pasagjeri Gëzim Sula, 22 vjeç, banues në Krujë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Veç këtij rasti, për ndjekje penale në gjendje të lirë është dërguar edhe Enea Buzi, 25 vjeç, sepse në orën 23.50, në bulevardin "Zhan D‘Ark", te Shallvaret, duke drejtuar mjetin Ford TR 60-16 R, ka dalë nga rruga duke rënë në Lanë, për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, një tjetër aksident është shënuar te "21 Dhjetori". Sipas të dhënave policore, rreth orës 22:50, një automjet i paidentifikuar ka aksidentuar një person me biçikletë. I plagosuri Klodian Karaj, 23 vjeç, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›