Shtohen firmat e interesuara, shtyhet shitja e katër HEC-ve
Kompanitë që kanë kaluar fazën e parë për tenderin e katër hidrocentraleve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, kanë kërkuar shtyrjen e fazës së dytë. Kjo është marrë në konsideratë nga Ministria e Ekonomisë dhe tashmë nga dje, kur ishte parashikuar të zhvillohej tenderi, operatorët do të paraqesin ofertat ekonomike më 10 shtator për Bistrica 1 dhe Bistrica 2 dhe më 13 shtator për Ulëz dhe Shkopet. Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë për gazetën se ndryshimi i datave për paraqitjen e ofertës ekonomike erdhi pasi kompanitë gjykuan të arsyeshme që të zhvillojnë parashikime dhe studime më të hollësishme të tyre lidhur me privatizimet. Një pjesë tjetër e rëndësishme është edhe negocimi për kredi që kompanitë duhet të bëjnë me institucione bankare, në mënyrë që të sigurojnë fondet e nevojshme për privatizime. Nga ana e Ministrisë së Ekonomisë u njoftua për përmbushje të kritereve tekniko-ligjore nga një sërë kompanish. Shtyrja deri në shtator e zhvillimit të tenderit të privatizimit nga ana e METE-s erdhi edhe pasi interesi i kompanive ka qenë i lartë. Deri më tani publikisht janë lakuar CNR & CNAIR (leader CNR) franceze, VERBUND Hydro Power AG-Austri, austriake dhe EVN-Austri gjithashtu. Të njëjtat burime bëjnë me dije se interes për privatizimin kanë shprehur jo tri, por rreth 6 kompani, të cilat e bëjnë më konkurruese garën mes tyre. Pas gati dy muajsh pritet që këto kompani ti kenë përfunduar miratimet e dokumentacioneve përkatëse dhe kalimet nëpër bordet e tyre drejtuese, duke justifikuar edhe ofertat ekonomike. Privatizimi i katër hidrocentraleve, Ulëz-Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, është trajtuar me rëndësi të veçantë nga ana e qeverisë edhe për faktin se në një periudhë të vështirë si aktualja, kur të ardhurat në arkën e shtetit kanë rënë, të ardhurat nga privatizimet mund të jenë një zgjidhje e mirë e problemeve. Për këto katër hidrocentrale, qeveria pret që të marrë një ofertë të majme, nëse kemi parasysh privatizimin e një hidrocentrali të vogël pak kohë më parë, siç është Lasabregasi, i cili u mor nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë me një ofertë 15 milionë euro. Targeti i qeverisë për privatizimin e katër hidrocentraleve që do të jepen përnjëherësh, është që të paktën oferta e njërës prej kompanive pjesëmarrëse në tender të kapë vlerën e 100 milionë eurove. Gjithsesi, se sa do të ofrojnë operatorët pjesëmarrës në tenderin për privatizimin e katër hidrocentraleve pritet që të zbulohet pas dy muajsh kohë, kur do të zhvillohet faza e dytë e tenderit.
HEC-et që privatizohen
. Ulëz. Shkopet
. Bistrica 1
. Bistrica 2
. Lanabregasi u privatizua
15 milionë euro