E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba dhe heqje kontrate për farmacitë që thyejnë rregullat

Gjoba dhe ndërprerje të kontratës për 6 muaj, për të gjitha farmacitë që shkelin rregullat e tregtimit, për sa i takon barnave të listës me rimbursim. Gjoba nis nga 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që për ato barnatore të cilat shkelin kontratat, parashikohet të paguajnë për diferenca deri në 200 mijë lekë për rastet kur në inventarë gjenden sasi të barnave nën nivelin e kërkuar. Këshilli Administrativ i ISKSH-së ka miratuar kontratat e reja të vitit 2009 të ISKSH-së me farmacitë dhe depot farmaceutike. Për këto kontrata është negociuar me palët e interesit dhe është rënë dakord në të gjitha nivelet. Është në përfundim lidhja e kontratave me farmacitë dhe depot farmaceutike. Së shpejti do të miratohen kontratat e reja me qendrat shëndetësore, si dhe ka nisur puna për përcaktimin e detajeve të kontratave me spitalet.

Penalizimet e parashikuara për farmacitë në rast se nuk do të respektojnë rregullat e kontratës me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë si gjobat ashtu edhe ndërprerja e kontratës me këtë institut. Pikat për të cilat është rënë dakord se nuk duhet të shkelen, janë parashikuar nga Këshilli Administrativ. Njëkohësisht janë parashikuar edhe penalizimet që do të kenë farmacitë në rastet kur shkelin rregullat dhe pikat e kontratës. Sipas njoftimit zyrtar të ISKSH-së, nga kontrollet me inventar në farmaci nuk duhet të rezultojë se gjendja fizike e barnave të listës është më e madhe se ajo kontabël. Në rast se vërehen fenomene të tilla farmacia paguan masën e diferencës për vlera mbi 200 mijë lekë, si dhe i ndërpritet kontrata për një periudhë 6-mujore. Nga kontrollet me inventar në farmaci për diferenca në minus të pajustifikuara, kur gjendja fizike e barnave të listës është më e vogël se ajo kontabël, në masën 300 mijë deri 700 mijë lekë farmacia gjobitet me 10 mijë lekë, dhe mbi atë vlerë i ndërpritet kontrata për një periudhe 6-mujore.

Sakaq, lidhja e kontratës me depot e barnave është tepër e rëndësishme për të realizuar kontrollin e mbyllur të shitjes së ilaçeve të listës së barnave që rimbursohen. Në të gjitha kontratat me subjektet farmaceutike kërkohet dorëzimi i të dhënave për qarkullimin e barnave që rimbursohen, shitje, blerje, në mënyrë elektronike. Për tregtim të barnave pa pullën e kontrollit/sigurisë, subjekteve farmaceutike të kontraktuara u ndërpritet kontrata duke bërë propozimin tek organet kompetente për heqje licence.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›