E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria jep 36 vite burg për Shullazin dhe mikun e tij



Tiranë - Prokuroria e Krimeve te Rënda dha sot pretencën për dy të akuzuarit për organizim dhe financim organizatash kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati. Për dy të akuzuarit Prokuroria kërkoi 18 vjet heqje lirie për secilin. Emiljano Shullazi, i cili thirrej nga anëtarët e bandës si “Mili”, por që me dokumente false paraqitej me emrin tjetër “Anton Nikolla”, akuzohet për organizim, drejtim dhe financim organizatash kriminale me qëllim trafikim heroine. Ndërkohë, Ervin Ferhati, i cili thirrej ndryshe “Ergus”, akuzohet për trafik lëndësh narkotike më shumë se një herë. Trafiku bëhej nga Turqia drejt Italisë dhe Gjermanisë. Mbi këta persona rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumenteve të identitetit. Dy të akuzuarit i përkasin një organizate kriminale që daton që nga viti 2004, në përbërje të së cilës janë 4 anëtarë. Shullazi dyshohet kapo i organizatës. Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati ndodhen prej muajsh të izoluar në dhomat e paraburgimit të Tiranës, nën masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë ndaj tyre nga Gjykata.

Aksidentoi të riun, ndalohet nga policia 42–vjeçari

Tiranë – Një 42–vjeçar u arrestua nga policia sepse aksidentoi një të ri nga Valiasi. Burime policore thanë për gazetën se dy ditë më parë u krye arrestimi në flagrancë nga specialistët e seksionit të Hetimit të Aksidenteve i shtetasit Bajram Islamaj, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse duke qarkulluar në rrugën dytësore të autostradës Durrës - Tiranë, në degëzimin e rrugës në fshatin Domje, me automjetin kamion tip “Benz”, me targa VL 6251 B, ka aksidentuar këmbësorin Ilir Gjana, 20 vjeç, banues në Valias. I dëmtuari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. U kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale në vendin e ngjarjes, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›