Shtohen në Durrës kontribuesit vullnetarë nga fshati në skemën e sigurimeve shoqërore
640 kontribues të rinj nga fshati janë regjistruar gjatë këtij viti në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të qarkut të Durrësit. Drejtori i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, Frederik Tufa, tha se "gjatë vitit 2009 në fshatrat e komunave të qarkut , 3720 banorë kanë kryer pagesat e skemës së sigurimeve, duke siguruar përfitime të rëndësishme për të ardhmen si pensionet, lejet e lindjes dhe shërbimet shëndetësore dhe farmaceutike". Por numri i fermerëve të vegjël, të cilët kanë përfituar tokë nga ligji 7501 dhe që nuk janë siguruar për vite me radhë mbetet shumë më i lartë. Tufa thotë se sensibilizimi i tyre për pagesat vullnetare pa asnjë kamatë vonesë po realizohet me anë të inspektorëve në komuna, si dhe me materiale publicitare. Në qarkun e Durrësit, me rreth 400 mijë banorë, përfitojnë pension pleqërie dhe pensione të tjera rreth 45 mijë vetë gjithsej. Sigurimi mujor vullnetar prej 3482 lek mundëson përfitimin e shërbimeve shëndetsore dhe të pensionit të pleqërisë.
...