Moti i keq në Vlorë pezullon nisjen e trageteve nga Brindisi

Moti i keq, i shoqëruar me erë të fortë, që ka përfshirë bregdetin e Vlorës dhe gjithë hapësirën detare të Kanalit të Otrantos prej mbrëmjes të së enjtes, ka pezulluar lundrimin e trageteve që përshkojnë linjën Brindisi-Vlorë. Ndërkohë, në portin detar të këtij qyteti puna është ndërprerë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, tha se "dy tragetet, që përshkojnë këtë linjë, nuk janë nisur mbrëmë nga porti i Brindisit për shkak të erës së fortë deri në 35 m/sek dhe detit me dallgë deri në 7-8 ballë”. Sipas tij, aktualisht është pezulluar edhe lëvizja e mjeteve lundruese, ndërkohë që katër të tilla me flamuj të shteteve të ndryshme, janë strehuar në gjirin e Vlorës. Autoritetet portuale kanë marrë masa për të parandaluar çdo të papritur që mund të shkaktohet nga kushtet e motit. Vetëm dy mjete transporti janë ankoruar në kalata, ndërsa të tjerat kanë dalë në radë. Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe 10 ditë më parë, kur për shkak të motit të keq, tragetet mbërritën me vonesë dhe puna në port u pezullua për rreth 12 orë.
...