E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri

Në 24 orë, në pikën doganore të Morinit, thuajse kalojnë 100 mjete të tonazhit të rëndë që lëvizin nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas.

“Vendin kryesor në këtë eksport- import mallrash e zënë materialet e ndërtimit, mallrat ushqimorë e mallrat industriale”, thonë burime nga kjo pikë. Ndërtimi i autostradës Morin – Kukës – Durrës dhe i segmentit të parë të autostradës në Kosovë, kanë sjellë përafrimin e ndjeshëm të të gjitha viseve shqiptare, duke shtuar edhe shkëmbimet tregtare në të dy anët e kufirit, e shoqëruar kjo edhe me raste te radhëve të gjata në mjediset e të dy doganave.

Burime zyrtare të drejtorisë rajonale të  policisë kufitare dhe emigracionit bëjnë të ditur se  “fluksi është normal dhe gjatë 24 orëve hyjnë në Kosovë përmes doganës së Morinit  2300  persona, pjesa më e madhe e të cilëve rikthehen brenda ditës".

 Pavarësisht fluksit të madh të lëvizjes në të dy anët e kufirit, gjatë kësaj periudhë nuk janë shënuar shqetësime për vizitorët, ndërsa akset kryesore rrugore vazhdojnë të jenë nën kontrollin e pa ndërprerje të forcave të policisë rrugore. Fluksi i lëvizjes së vizitorëve gjatë këtij viti ka qenë më i madh se në vitet e kaluara. Kështu, vetëm për periudhën 16 qershor – 30 shtator  kanë hyrë në Shqipëri  nga Kosova 1.042.089 shtetas, kryesisht të huaj, ndërsa kanë hyrë vetëm brenda  një dite deri në 32 mijë vizitorë. /Start/

                                                                                             2011-11-20 08:56
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›