Homazhe në nderim të oficerit të policisë, Nuri Kërçani
Gjirokastër -Mesditën e së mërkurës është zhvilluar ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Përmet, Nuri Kërçani, i cili humbi jetën në krye të detyrës në aksidentin automobilistik të së martës. Në orën 12:00, arkivoli me trupin e tij është vendosur në mjediset e Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër për homazhet e rastit. Me dhjetëra banorë të zonës së Gjirokastrës, efektiva të strukturave të Policisë së Shtetit, përfaqësues të administratës publike, pushtetit vendor, partive politike, miq dhe të afërm kanë vendosur kurora me lule, si dhe janë përkulur me nderim dhe respekt përpara kujtimit të oficerit të policisë, Kërçani. I pranishëm në këto homazhe, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rasim Boriçi ka pohuar se “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u gjendet pranë familjarëve të efektivit Kërçani në këto momente të rënda për ta”. “Pjesëmarrja e dhjetëra qytetarëve në këto homazhe tregon respektin për efektivin e policisë të rënë në krye të detyrës dhe në përgjithësi për strukturat e Policisë së Shtetit”, - ka pohuar zv/drejtori Boriçi. Më pas në varrezat e fshatit “Asim Zeneli” është zhvilluar ceremonia e varrimit të oficerit të policisë, ndërsa flamuri i Policisë së Shtetit u është dorëzuar familjarëve të tij. B. Shehu