Goditet banda e vjedhjes së 13 makinave në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, ndërsa një i tretë është arratisur dhe shpallur në kërkim. Grupi kriminal grabiste makinat “Ford” dhe “Opel” dhe i shiste në rrethe
Policia e Tiranës zbulon një bandë të vjedhjes së makinave dhe nis procedimin penal për tre persona. Ky zbulim u bë në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshta 2011”, përmes të cilit u dokumentuan 13 raste të vjedhjes së automjeteve. Policia arrestoi shtetasit Romeo Tufa, 19 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe Halil Xakën, 30 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për një seri krimesh, i arrestuar më 10 dhjetor nga policia e Bulqizës. Ndërkohë u shpall në kërkim 21-vjeçari Dorian Xhoxhaj, lindur dhe banues në Berat, i dënuar më parë për vjedhje. Falë hetimit rezultoi se tre personat janë autorë të grabitjes së 13 automjeteve në Tiranë, të kryera përgjatë vitit 2011. Sipas policisë së Tiranës, harta e grabitjeve të kësaj bande shtrihet në disa rrugë të Tiranës, deri në Babrru, ku dyshohet se ishte edhe qendra e grupit. Ndryshe nga bandat e mëparshme të grabitjeve, të cilat shquheshin për vjedhjen në seri të makinave “Benz”, të arrestuarit gjatë operacionit “Vjeshta 2011” kanë gjuajtur makinat “Ford” të parkuara në lagje të ndryshme të Tiranës. Seriali i vjedhjeve të dokumentuara nga policia ka nisur prej muajit tetor deri në dhjetor, kur banda e mësipërme ka mundur të grabisë mbi 13 makina, dy prej të cilëve furgonë. Sipas hetuesve të çështjes, makinat e preferuara nga grupi i mësipërm kanë qenë ato “Ford” dhe “Opel”, të cilat ndiqeshin deri në vendet e tyre të parkimit e më pas grabiteshin. Në disa raste, makinat janë shitur në rrethe të ndryshme të vendit për shuma të vogla parash. Pas arrestimit, dy të rinjtë janë marrë në pyetje nga inspektorët e çështjes, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e Dorian Xhoxhajt, anëtarit të tretë të kësaj bande, e cila ka kryer 13 vjedhje makinash në Tiranë.