E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet bora, 15 mijë të ngujuar në Kukës

Banorët e gjashtë komunave nuk lëvizin dot jashtë fshatrave. 30 makina kalojnë natën në mal
Gjatë natës së shkuar, i gjithë rajoni i verilindjes u përfshi nga reshjet e dëborës dhe nga temperaturat e ulëta. Në qytetin e Kukësit, trashësia e dëborës shkon nga 15 deri në 20 centimetra, ndërsa në zonat malore deri në 40 cm. Mëngjesin e së premtes, hyrje-daljet në Kukës ishin gati të pamundura, por me daljen e një borëpastrueseje në terren, disa prej akseve janë hapur në drejtim të qendrave komunale të afërta, ndërsa një numër zonash mbeten totalisht të papërshkueshme me mjetet motorike. Vëmendje e posaçme po i kushtohet aksit kombëtar të rrugës Kukës-Tiranë, për ta mbajtur në funksion të plotë dhe për të shmangur aksidentet e mundshme. Në këtë aks, në segmentet problematike të Kalimashit, Shëmrisë dhe Qafë-Shllakut, po punojnë tri borëpastruese, si dhe po hidhet kripë dhe skorie.
Por natën e së enjtes, rreth 30 mjete kanë mbetur të bllokuara në Qafë të Malit deri në mëngjes, kur fadromat dhe disa punëtorë kanë hapur rrugën dhe kanë hedhur kripë në akull, për të bërë të mundur vijimin e udhëtimit. Edhe policia rrugore po monitoron me kujdes qarkullimin e mjeteve, duke mos lejuar udhëtimin e mjeteve pa pajisje dimërore. Një punonjësi i policisë, duke pohuar bllokimin e mjeteve, tha se nuk kishte qenë mungesa e zinxhirëve, por akulli nën dëborë që bllokoi makinat në afërsi të Ujit të Ftohtë, përtej Qafë-Shllakut.
Prefekti i Kukësit, Elez Maçi, i cili është edhe drejtues i shtabit të emergjencës, tha për gazetën “Shqip” se po synohet të pastrohet dëbora edhe në zonat e thella dhe deri në orën 11:00 janë bërë të kalueshme disa nga rrugët e qendrave të komunave të Qarkut të Kukësit, ndërsa mbeten të vështira rrugët e Zapodit, Arrnit, Grykë-çajës, Bushtricës, Kalisit, një pjesë e rrugës Kukës-Peshkopi, si dhe disa fshatra të Komunës Lekbibaj të Tropojës.
“Kemi kontaktuar me firmat ‘Marsi’, ‘Alb Shpresa’ dhe ‘Geci’, dhe u kemi dhënë detyrë pastrimin e menjëhershëm të të gjitha akseve të cilat janë të bllokuara. Ato po bashkëpunojnë edhe me Drejtorinë e Rrugëve dhe shpresojmë që puna të ecë e në këtë mënyrë të zhbllokojmë edhe fshatrat apo komunat e izoluara”, tha Maçi. Momentalisht, në shkallë qarku mbeten të izoluara 6 komuna dhe një numër fshatrash me një popullsi totale prej rreth 15 mijë banorësh.
Edhe rruga Kukës-Shishtavec mbetet një sfidë e vështirë. Kryetari i komunës, Dylejman Nela, tha për gazetën “Shqip” se ai me fuoristradë ka mundur me vështirësi të zbresë në Kukës, por që me fshatrat e komunës as që bëhet fjalë për t’u lidhur. “Trashësia e dëborës i kalon 40 centimetrat dhe për më tepër ka akull nën dëborë, çka e bën të rrezikshëm udhëtimin me mjete motorike, nëse nuk hedhim më parë kripë në rrugë”, tha ai, duke shtuar se edhe temperaturat në zonë ishin shumë të ulëta.
Kështu flasin edhe disa udhëtarë që e kanë përshkuar rrugën me fuoristradë nga Shishtaveci në Kukës. “Vetëm me fuoristradë mund të bëhet kjo rrugë. Asnjë makinë tjetër nuk mund ta çajë dëborën”, tha një shofer nga kjo zonë. Ai tha gjithashtu se makinat e tjera që ishin nisur për Kukës janë kthyer mbrapsht, edhe pasagjerët gjithashtu janë kthyer mbrapsht. Nga ana tjetër, një banor i Komunës Bushtricë, një tjetër zonë problematike, tha se fshatrat e kësaj zone nuk lidhen as me njëra-tjetrën e as me qendrën e komunës për shkak të dëborës së madhe. “Jam nga fshati Palush dhe këtu trashësia e dëborës shkon 45 cm”, tha ai duke shtuar se dëbora e natës së të enjtes i është shtuar asaj ekzistuese, duke krijuar një shtresë të rrezikshme edhe për ortekë. E njëjta situatë është edhe në komunat e tjera, ku fatmirësisht nuk ka pasur probleme shëndetësore për të vënë në provë gatishmërinë e shtabit të emergjencave dhe mundësinë për evakuim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›