Korrupsion në sektorin privat, katër të arrestuar
DURRëS/ Nën akuzë, punonjësit e Kontrollit Teknik të Automjeteve, që administrohet nga një kompani zvicerane
Korrupsion pasiv në sektorin privat, arrestohen katër punonjës të Kontrollit Teknik të Automjeteve në Durrës. Akuza e konsumimit të korrupsionit pasiv në sektorin privat e mbështetur në nenin 164 të Kodit Penal është ngritur ndaj katër punonjësve të sektorit të kolaudimit të automjeteve në Durrës, ndërsa pret të verifikohet për personat që janë arrestuar. Dje, rreth mesditës, seksioni i krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit ka ekzekutuar urdhrat e prokurorisë për masën e arrestit ndaj shtetasve Endri Bajo, Altin Hoxha, Edmond Troplini dhe Neim Hoxha, të katërt punonjës pranë Kontrollit Teknik të Automjeteve që ndodhet në Shkozet të Durrësit. Burime nga policia bënë të ditur se arrestimi i tyre u bë mbi bazën e denoncimeve të mbërritura ndaj këtyre shtetasve, të cilët përfshihen në veprën penale të korrupsionit pasiv. Burimet sqarojnë se janë bërë hetime paraprake dhe ekzistojnë provat fillestare për akuzimin e tyre. Nuk janë deklaruar ende se cilët janë denoncuesit, ndërkohë që puna pranë sektorit të kolaudimit të mjeteve motorike ka vijuar normalisht, ndonëse të gjithë punonjësit kanë qenë të shokuar nga arrestimi i kolegëve. Që nga vjeshta e vitit të kaluar, shërbimi i kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio i është dhënë me koncesion subjektit zviceran “Societe Generale de Surveillance”, i cili ka të drejtën e kryerjes së këtij shërbimi për një periudhë 10-vjeçare, kundrejt pagesës së tarifës së koncesionit 5% e të ardhurave që shkon në llogari të shtetit shqiptar.
#