Durrës, milionat e Rrugës Tregtare shkojnë dëm
Bulevardi i ndërtuar para tre vitesh ka humbur shkëlqimin dhe vazhdon të vjelë fonde për riparim
Rruga Tregtare, një projekt i dështuar që vazhdon t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve durrsakë. Pllakat e shkëlqyeshme kanë nisur t’u lënë vendin arnimeve me asfalt, duke dhënë një pamje të shëmtuar të bulevardit kryesor të qytetit të Durrësit. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, pranon se projekti prej 75 milionë lekësh të reja për ndërtimin e saj është i dështuar dhe rruga do të vazhdojë të riparohet me asfalt aty ku pllakat dëmtohen. Kostoja e zëvendësimit të vazhdueshëm me pllaka është shumë e lartë dhe po ashtu dhe shqepja e tyre dhe shtrimi i rrugës nga fillimi me pllaka. Investime që hidhen në erë dhe jo vetëm cenojnë imazhin e një qyteti, por dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe investimeve publike që i ofrohen atij nga pushteti që e zgjedhin përmes votës. Automjetet që kalojnë në këtë rrugë po e dëmtojnë seriozisht atë. Inxhinierë të ndryshëm shprehen me rezerva për rrugën e shtruar me pllaka, ndërsa mbi të qarkullojnë automjete të shumta të tonazhit të vogël dhe të madh. Kryebashkiaku i mëparshëm, Lefter Koka, pati deklaruar se rruga ishte parashikuar si një bulevard shëtitës në funksion të turizmit, pa trotuare dhe me ndriçim nga poshtë dhe lart, por Dako shprehet se në projekt është përfshirë qarkullimi i mjeteve në të, përkundrejt asaj që është deklaruar. Një zgjidhje radikale, e pamenduar dhe e shtrenjtë. Kështu shprehet kryebashkiaku i pyetur nga gazeta për arnimin e rrugës që mbahet si një nga krenaritë e qytetit të vjetër dhe të sotëm. Një metër katror i pllakave, me të cilat është shtruar Rruga Tregtare kushton rreth pesëmijë lekë të reja, ndërsa ritmet e prishjes së tyre janë të shpejta. Të pakënaqur janë edhe tregtarët e kësaj rruge, që ende nuk i ka mbushur tre vjet jetë nga ndërtimi modern. Prishja e pllakave dhe zëvendësimi i tyre me të reja krijonte bllokim të rrugës për ditë të tëra, ndërsa tani metoda e arnimit me asfalt e ka shmangur bllokimin, por jo pakënaqësinë. Firma ndërtuese ishte ANK dhe, pas shumë shtyrjesh të afateve, ajo mundi ta dorëzojë objektin që thithi një pjesë të mirë të buxhetit të pavarur të Bashkisë së Durrësit. Ndërtimi i saj synoi t’i japë një hov të ri zhvillimit social-ekonomik të zonës përreth, duke e kthyer në zonën më të frekuentuar të vendasve dhe turistëve. Rruga me gjatësi 340 metra është fare pranë portit, shëtitores bregdetare dhe amfiteatrit antik dhe krijon një vijimësi të investimeve të bëra në këto pjesë të qytetit. “Për herë të parë në Shqipëri, rruga është shtruar me pllaka, të cilat sigurojnë qëndrueshmëri edhe ndaj tonazheve të rënda, por është parashikuar që mbi të nuk do të lëvizin automjete. Qëllimi është të kthehet në një shesh që ofron komoditet, çlodhje dhe kënaqësi për të gjithë durrsakët dhe turistët që do ta vizitojnë qytetin gjatë sezonit, por edhe vitit në vazhdimësi”, ishte shprehur kryebashkiaku i mëparshëm që ndërmori këtë nismë, i bindur se po i dhuronte qytetit një rrugë të re dhe moderne, me një imazh që gjeneron kulturë dhe zhvillim.
#