Dibër, thesari mban ende të bllokuara fondet e vitit 2009
Kriza
Njësitë e pushtetit vendor nuk kanë arritur të marrin paratë për investimet e kryera
Degët e Thesarit në rrethet e Dibrës, Bulqizës dhe Matit, në Qarkun e Dibrës ende vazhdojnë të mbajnë të bllokuara fondet e investimit të realizuara gjatë vitit 2009, për të gjitha institucionet shtetërore në varësi vertikale nga qeveria, përfshirë edhe pushtetin lokal në 35 njësi vendore. Atyre institucione dhe njësive vendore që dërguan kërkesa pas datës 17 dhjetor të vitit, të kaluar pranë degëve të Thesarit në Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel për lëvrimin e fondeve, nuk u është bërë kalimi i lekëve, pasi dokumentet nuk janë firmosur, por u janë kthyer mbrapsht. Investimet e pashlyera janë në shumicë të tyre, ndërtime, sistemime e asfaltime rrugësh dhe ndërtime ujësjellësish, vlera e të cilave shkon në qindra milionë lekë për çdonjërën njësi vendore. Degët e Thesarit të këtyre rretheve e kanë lidhur këtë veprim të tyre me mosfirmosjen e dokumenteve për lëvrimin e fondeve të investimeve të kryera, gjoja me rregulloren, që më 18 dhjetor ndërpriten lëvrimet e fondeve, për të krijuar kushte për kryerjen e bilanceve. Ndërkohë që specialistë të zyrave të financës së këtyre institucioneve dhe njësive vendore, pohojnë se për çdo vit nuk është ndjekur një praktikë e tillë. Por, veprimet në degët e Thesarit, për lëvrimin e fondeve të investimeve të realizuara gjatë vitit, kanë vijuar deri më 25 dhjetor dhe jo më 17 dhjetor siç ndodhi vitin e shkuar. Mësohet se dokumentet e kthyera të pafirmosura, duhet të bëhen edhe një herë për t’u ridërguar në degët e Thesarit. Jo vetëm kaq, pohojnë specialistët e financave të njësive vendore, por veç ribërjes këto dokumente duhet të miratohen edhe nga këshillat e komunave dhe bashkive, në momentin e miratimit të buxhetit të tyre për vitin 2010. Fondet e pushtetit lokal, duke iu referuar ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, trashëgohen në vitin tjetër. Madje nëse nuk është miratuar buxheti nga këshillat bashkiakë dhe komunalë, bashkitë dhe komunat kanë të drejtë të përdorin një të dymbëdhjetën e këtyre fondeve. Gjithsesi duket qartë se shtyrja pa afat të caktuar e lëvrimit të fondeve të investimit të realizuara gjatë vitit të kaluar, aq sa me rregullat burokratike financiare, lidhen më së shumti me krizën ekonomike që ka përfshirë vendin.
#