Nuk mund të pinin kafe të lirë vrasësit e tregtarit
Sarandë
Dosja e vrasjes së ndodhur në Dermish, të tregtarit Jorgo Zisi, është njëra prej dosjeve të ashtuquajtura “të vjetra”. Sipas kreut të Komisariatit të Policisë së Sarandës, Besim Palamani, ajo është rindërtuar në vitin 1999, duke marrë dëshmi të ndryshme nga njerëz të shumtë që kishin dijeni mbi rrethanat e saj, me gjithë vështirësinë që vjen nga largimi në emigracion të disa prej atyre që ruajnë në kujtesë detaje nga ajo vrasje e vitit 1996. Plotësimi nga e para i kësaj dosjeje mësohet të ketë nisur jo thjesht me kërkesë të familjarëve, por edhe pse është një nga ato raste që nuk mund të tolerohej, që vrasësit e njohur nga një publik i gjerë të vazhdonin të liheshin të lirë përballë një krimi të patolerueshëm. Unë do të thosha se rinisja e hetimeve për këtë vrasje është bërë pas studimit të hollësishëm të ngjarjes dhe se ka vend për dëshmi të reja. Pasditen e djeshme, tre të prangosurit për shkak të identifikimit si autorë të vrasjes së vitit 1996 në Dermish, kanë dalë para togave të zeza për të marrë masën e sigurisë. Ndaj tyre është vendosur masa “burg pa afat”.
#