E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet harta e sipërfaqeve nën ujë në Shkodër, KESH rrit kuotat e shkarkimeve

Fierza përmbyt 40 shtëpi në Kukës, Oboti nën ujë, Dajçi dhe Gorita të rrezikuara


Zgjerohet harta e tokave nënë ujë në rrethin e Shkodrës. Rreth 1400 hektarë tokë tashmë ndodhen nën pushtetin e ujit, ndërsa banorët ndjehen të rrezikuar pasi ujë është afruar pranë banesave. Zonat më të rrezikuara mbeten Dajçi dhe Gorita.

Nga ana tjetër KESH vijon shkarkimet nga tre hidrocentralet me të njëjtin intensitet. Dy ditë më parë Ministria e Brendshme konfirmoi zyrtarisht se situata në Shkodër po rëndohet dhe se po merren masat për evakuimin e banesave. Autoritetet pohuan se vendosën ti rihapin portat e hidrocentraleve pasi niveli i ujit në digat e liqeneve të tyre arriti kuotën më të lartë të lejuar, ndërsa kanë vënë në punë të gjitha turbinat. Ndërkohë mësohet se  monitorohet situata me kujdes dhe deri tani është nën kontroll.


Zonat në rrezik
Situata në zonat e mbuluara nga uji në Shkodër paraqitet e pandryshuar krahasuar me një ditë më parë. Rritja e nivelit po prek thellë lagjet periferike të Shkodrës duke hyrë dhe në banesat e para. Më kritike situate paraqitet në fshatin Gorite të Dajçit ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm në fushat bujqësore. Ndërkohë uji ka vërshuar dhe në Bushat duke hyrë në disa banesa. Zona të tëra të Shkodrës zgjohen nën ujë, ku rreth 1400 hektarë tokë të gjendet e përmbytur. Më të prekura janë komunat Obot dhe Ana e Malit. Sipërfaqet e mbuluara nga uji janë kryesisht tokat bujqësore ende të pathara nga përmbytjet e janarit e Shkurtit. Këtë mëngjes është vërejtur ujë dhe në harkun e Bërdicës, ku bie në sy niveli në rritje. Uji ka hyrë dhe në lagjet periferike të Shkodrës, kryesisht në Ajazëm dhe në lagjen Livadhe. Mësohet se niveli i ujit gjatë natës u rrit me 10 deri në 20 centimetër. Një situatë më e përmirësuar paraqitet në Dajç e Darragjat falë argjinaturave të përforcuara. Megjithatë, njoftimet nga terreni thonë se tek banorët e zonës përreth Shkodrës, që këto ditë prisnin të dëmshpërbleheshin nga dy përmbytjet e mëparshme, është shfaqur sërish frika e përmbytjeve masive.


Lezha
Reshjet e shiut po vazhdojnë prej disa ditësh, ndërsa njoftohet se përmbytjet janë shfaqur sërish edhe në rrethin e Lezhës dhe atë të Krujës. Në njoftimin më të fundit nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës thuhet se situata po bëhet shqetësuese dhe se autoritetet lokale duhet të marrin masa urgjente për përballimin e përmbytjeve. Përmbytjet e Prillit pasojnë ato të Janarit dhe Shkurtit ku sërish shkak ishte dalja nga shtrati i Drinit si pasojë e shkarkimit me tepricë të ujërave të HEC-eve mbi këtë lumë. Të dhënat e përditësuara të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se situata në tre Hidrocentralet e Kaskadës së Drinit vazhdon të jetë shqetësuese. Shkarkimet do të vazhdojnë të jenë të rritura, të detyruar për të mbrojtur digat nga dëmtimet për shkak të prurjeve të shumta.


Hidrocentralet
Niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës, paraditen e djeshme shënonte 296. 64 centimetër, gati e pandryshuar nga pasdite e djeshme kur niveli i ujit kishte arritur në kuotën 296. 63 m. Prurjet, dje në Fierzë, ishin në kuotë të pandryshueshme nga pasditja e djeshme, 1160 m kub/sek, gjithashtu dhe shkarkimet me 710 m kub/sek. Në Liqenin e Komanit niveli i ujit dje paradite ishte 173.8 centimetër, gati e pandryshuar nga pasdite e djeshme 173. 9 metra. Prurjet dhe shkarkimet paraditen e sotme janë rritur në krahasim me një ditë më parë. Dje kuotat e prurjeve ishin 350 m kub për sekondë, ndërsa dje pasdite ato shënonin 282 metër kub për sekondë. Shkarkimet janë 1000 m kub/sek, ndërsa dje pasdite ishin në kuotën e 900 metër kub/sek. Derdhjet nga Vau i Dejës që kanë shkaktuar dhe përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, vazhdojnë të jenë në kuota të larta, 1960 m kub /sek, ndërsa gjatë ditës së djeshme (paradite) shkarkimet ishin në kufirin maksimal të tyre, 2000 metër kub për sekondë, ndërsa pasdite ishin 1500 m kub ujë në sek. Vihet re një rënie e niveli të ujit në Vaun e Dejës. Nga kuota 75.68 centimetër që u raportua pasditen e djeshme, KESH raportoi kuotën 75.03 m. Janë ulur dhe prurjet. Dje u shënuan shifrat 150 m kub për sek, nga 200 që ishin pasditen e së martës. Që nga fillimi i këtij viti, zona fushore e Nënshkodrës, përmbytet për të tretën herë nga reshjet dhe shkarkimet e Hidrocentraleve, gjë që u ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik banorëve të kësaj zone.

Kukës, përmbyten 40 banesa
Rreth 40 banesa janë izoluar nga ujërat e liqenit të hidrocentralit të Fierzës në rrethin e Kukësit. Fshati Breg-Lumë është përmbytur prej kohësh e gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore ndërsa këtë herë siç pohojnë edhe banoret uji ka mbërritur deri në oborret e banesave për shkak të tejkalimit të kuotës maksimale të lejuar në digën e Fierzës.
Uji ka bllokuar veç të tjerash edhe rrugën automobilistike si dhe po sjell mjaftë probleme për banorët e izoluar. Ndërkohë të mbjellat bujqësore të tyre janë shkatërruar plotësisht. Historikisht ky fshat përmbytet nga ujërat e hidrocentralit por këtë herë ujerat kanë arritur deri në themelet e shtëpisë.

Shkarkimet nga Kaskada e Drinit
Vazhdon shkarkimi i sasive të mëdha të ujit nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit. Sipas burimeve zyrtare nga KESH, mësohet se në liqenin e Fierzës, prurjet vazhdojnë të jenë të larta me 1160 m3ujë/sek ndërsa po shkarkohet nga portat 710 m3ujë/sek. Në HEC-in e Komanit, sipas të dhënave zyrtare të mesditës, ka rënie të prurjeve në 350 m3ujë/sek ndërsa po vazhdohet me shkarkimin e 1000 m3ujë/sek. KESH bën me dije se në hidrocentralin e Vaut të Dejës, prurjet kanë zbritur në 150 m3ujë/sek ndërsa shkarkimi është në masën e 1400 m3ujë/sek. Korporata Elektroenergjitike tha se nga HEC-et po prodhohet në total një sasi prej 30 milionë kilovat/orë energji elektrike nga të cilat 16 prej tyre po eksportohen.

Stojku: Shkarkimet, edhe në dy ditët në vijim
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se situata në kaskadën e lumit Drin po shkon drejt normalizimit dhe pritet që brenda dy ditëve të ardhshme të ndërpriten shkarkimet. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku deklaron se shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe prurjet e ujit në kaskadë. Situata është e kontrolluar, ne po shkarkojmë sot nga liqeni i Vaut të dejës 1760 metër/kub ujë në sekondë, 300 metër/kub më pak se dita e djeshme. Njëkohësisht prurjet në liqenin e Fierzës kanë filluar rëniet, janë afërsisht me 1050 metër/kub në sekondë, kështu që në pak orë ne do hyjmë në prurjet normale. Kjo situatë do ndiqet deri në uljen e prurjeve dhe me siguri që në dy ditët e ardhshme këto shkarkime do të ndërpriten, u shpreh Stojku. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it e ka vlerësuar gjendjen e krijuar në kaskadë më të vështirë edhe se përmbytjet e vitit 1963. Sipas tij prurjet mesatare mujore në 1963-shin ishin 470 metër/kub në sekondë ndërkohë që këtë muaj prurjet mesatare të ujit vlerësohen në 730 metër/kub në sekondë.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›