Shtohet misteri dhe amullia rreth konsorciumit me ofertën më të lartë për Albpetrol

Taci dhe Pushkar
Nga Dorina Bilbili, IDEA
Shtohet misteri rreth kompanisë që ka dhënë ofertën më të mirë për blerjen e Albpetrol-it. Pas mungesës së informacionit zyrtar nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, dhe në kushtet e të dhënave konfuze rreth anëtarëve të konsorciumit dhe CV-ve të tyre në fushën e energjetikës, gazeta IDEA iu drejtua përmes një email-i kompanisë SilkRoad Equity Ltd, për të mësuar se cilët janë në të vërtetë ata që po blejnë pasurinë më të çmuar të ekonomisë kombëtare shqiptare.
E-mail-i u dërgua në adresën zyrtare që kompania kishte reklamuar në internet info@silkroadequity.com.
Përgjigja nuk vonoi të vinte dhe çuditërisht brenda pak më pak se një ore. Përgjigja erdhi pikërisht nga Essad Pukar, adresa e tij elektronike. Pukar ishte njeriu që gjatë zhvillimit të tenderit kishte qenë përfaqësues i konsorciumit që ofroi edhe shumën më të madhe në tender, 850 milion Euro.
Ja dhe teksti i përgjigjes:
Ju lutemi të këshilloni se tenderi është bërë në emër të Vetro Energy Pte Ltd, dhe jo Silk Road. Ju lutemi të merrni të gjitha masat e duhura për të siguruar se ofertuesi është quajtur si duhet nën VETRO, kështu që nuk ka konfuzion. Shume faleminderit.
Ajo që bie në sy është në skenë del tashmë një tjetër emër, i cili nuk është prezantuar zyrtarisht në procedurën e bërjes së tenderit, Vetro Energy Pte Ltd. Elementi tjetër që bie në sy, është se në kontaktin e tij në Evropë, Essad Pukar rezulton me një numër telefoni shqiptar, të kompanisë AMC dhe një numër amerikan. Ndërsa kompania që sipas tij ka marrë pjesë në tender, nën VETRO, është pra Vetro Energy Pte Ltd, në faqen zyrtare të të cilës jepet kjo adresë:
Vetro Pte Ltd
#05-06, 605A MacPherson Rd, Singapore 368240
Me pak fjalë, nëse do ti referohemi këtij email-i, SilkRoad nuk ka marrë pjesë në tender. Edhe pse dje publikisht, të gjithë panë se oferta më e mirë për blerjen e Albpetrol-it u ofrua nga konsorciumni Vetro Silk Road Equity Ltd.
Ndërkohë, një lajm i agjencisë Reuters, njoftohet se kompania shqiptare e naftës Albpetrol mund të blihet nga konsorciumi i përbërë nga Vetro Silk Road Equity Ltd, me qendër në Singapor dhe Vetro Energy, me bazë në Çikago. Pra këtu na del një tjetër pasaktësi, që Vetro Silk Road Equity Ltd është me qëndër në Singapor ndërsa në faqen e saj SilkRoad rezulton me qendër në Çikago, themeluar në vitin 2003.
Në kushtet e kësaj amullie informacionesh, e vetmja që hesht është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në mënyrë të pashpjegueshme, kjo ministri ende nuk ka nxjerrë një njoftim në faqen e saj zyrtare lidhur me procedurën e këtij tenderi.
Gazetat shqiptare aludonin se z.Pukar, është një njeri i njohur në botën e bizneso-politikës në Shqipëri dhe në Kosovë dhe një njeri që ka këshilluar politikat ekonomike të kompanisë shqiptare të naftës Taçi Oil. Edhe në fotografinë shoqëruese z.Pukar shihet me presidentin e kompanisë, z.Rezart Taçi. Adresimi prej tij i një kontakti telefonik shqiptar, e shton më shumë mjegullnajën se kush janë në të vërtetë ata që po shtien në dorë këtë pasuri të Shqipërisë.