Statusi, Bregu: Kemi afat deri më 20 shtator
Ndryshimi i Kushtetutës për çështjen e imunitetit nuk do të diskutohet në parlament së bashku me propozimet e PS për reformën ne drejtësi. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, thekson për Vizion Plus se detyrimi i klasës politike shqiptare është të votojë kufizimin e imunitetit sa më shpejt që të jetë e mundur, por kjo nuk ka lidhje me kërkesën e opozitës për ndryshimin e ligjit themeltar për institucionet e pavarura. Bregu thekson se klasa politike shqiptare ka afat deri në 20 shtator për të miratuar 3 kërkesa të Brukselit; kufizimin e imunitetit, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe reformën parlamentare për të rritur kështu shanset e Shqipërisë që në 10 tetor Komisioni Evropian ti japë OK marrjes së statusit të kandidatit.
Sipas Bregut nuk ka asnjë mospërputhje mes deklaratës se ministrit Panariti për imunitetin dhe qëndrimit të kryeministrit, pasi zhveshja nga mbrojtja ligjore është përfshirë tek prioriteti nr. 8 për luftën ndaj korrupsionit. Ndryshimi i Kushtetutës për kufizimin e imunitetit nuk u votua ne seancën plenare të 6 gushtit dhe për këtë shkak mbartet ne kalendarin e punimeve të Kuvendit, por ende nuk dihet nëse opozita dhe maxhoranca do të gjejnë gjuhen e kompromisit për ta votuar para se Komisioni Evropian të mbyllë përgatitjen e opinionit për Shqipërinë.