E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gjyqtarëve: Nuk është bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së Skerdilajd Konomit. Ky është ogur i keq

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar në përvjetorin e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ata thonë se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së kësaj vrasje dhe e quajnë këtë një ogur të keq për drejtësinë. Në deklaratën e tyre kërkohet intensifikim i punës për zbardhjen e këtij akti kriminal.

Me datë 09.09.2012 bëhet një vit nga vrasja makabër e tipit mafioz e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Drejtësia humbi nje gjyqtar të nderuar, të aftë e kurajoz, familja humbi njeriun më të dashur, ne gjyqtarët humbëm kolegun e shokun, ndërsa shoqëria mori një goditje domethënëse në sigurinë e saj në jetën e përditshme. 

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë në këtë përvjetor të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal. Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Ndaj gjejmë rastin ti bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse për të intensifikuar punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj.

Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend, thuhet në deklaratën e UGJSH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›