E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Berisha po mban peng integrimin e vendit dhe drejton gishtin nga opozita

Partia Socialiste ka reaguar sërish sot pas shtyrjes së shqyrtimit të paketës së saj për ndryshimet kushtetuese nga Këshilli i Legjislacionit. Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mban peng integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Opinioni publik është njohur me mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisioni të Ligjeve të Kuvendit për shqyrtimin e nismës kushtetuese të paraqitur nga Grupi Parlamentar Socialist. Padyshim nuk janë çuditur aspak me arrogancën dhe cinizmin e Kryetares së kuvendit, me shkeljen hapur që zonja Topalli i bëri rregullores së kuvendit dhe mungesën e respektit që ajo tregoi ndaj opozitës parlamentare. Kjo sjellje e Kryetares së kuvendit është bërë tashmë mëse e zakonshme në atë mjedis ku nuk mund të flitet më për parlamentarizëm, zbatim të rregullores dhe për dialog e bashkëpunim.

Ajo që çuditi opinionin publik ishte qëndrimi i deputetëve të Kryeministrit Berisha për të shtyrë shqyrtimin e nismës së paraqitur nga opozita për dy deri në tre javë më pas, me arsyetimin se ju duhej kohë racionale dhe e mjaftueshme që të njiheshin e ta studionin projektin, tha Xhafaj.

Kërkuan kohë ATA që një ditë më parë e kishin etiketuar me një gjuhë krejt ordinere si paçavure dokumentin parlamentar të kolegëve të tyre opozitarë. Kërkuan kohë ATA, deputetët e Kryeministrit Berisha, që prej 50 ditëve e kanë atë projektligj në duar, ATA që si ushtarë të bindur, votojnë ligje që as kanë mundësinë ti shohin e jo më ti lexojnë, ligje që kanë ardhur në kuvend të hënën dhe janë miratuar në seancë të enjten. Kërkuan kohë, megjithëse kishin rreth 50 ditë që e mbanin nismën tonë kyçur në sirtarët e kuvendit. ATA që çirren nga mëngjesi në darkë për imunitetin, për integrimin, për afatet që po ikin me shpejtësi, për opozitën që bllokon e lloj-lloj akuzash të tilla bajate, vijoi deputeti i PS.

Xhafaj tha se pas kësaj kryeministri Berisha nuk ka më asnjë të drejtë të bërtasë se ditët po ikin dhe imuniteti nuk po miratohet.

E për më tepër, nuk duhet të guxojë më e të drejtojnë gishtin nga opozita për bllokimin e procesit. Përkundrazi, njeriu që sot po bllokon kufizimin e imunitetit dhe integrimin e Shqipërisë ka vetëm një emër, Sali Berisha, tha Xhafaj.

Me këtë përgjegjësi, me vullnetin për ta shtyrë procesin përpara, në respekt edhe të këshillave dashamirëse të partnerëve ndërkombëtar, i  propozuam mazhorancës dy ditë më parë një axhendë që mundësonte shqyrtimin e nismës sonë brenda datës 15 shtator dhe votimin në seancë të projektligjit me ndryshimet kushtetuese përfshi edhe imunitetin brenda datës 30 shtator, vijoi Xhafaj.

Deputeti i PS përsëriti se ata do e bëjnë këtë debat për shqiptarët.

Secili është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Populli është ai që duhet të vendos se cila është zgjidhja që i shërben të sotmes dhe të nesërmes së tij. Populli do të dijë të zgjedh lirinë ndaj nënshtrimit, sigurinë ndaj dhunës, demokracinë përball neodiktaturës.

Shqiptarëve ju takon të dëgjojnë, të mbajnë shënim dhe të gjykojnë me votë 10 muaj më pas. Ndërkohë që edhe refuzimi i kësaj reforme të mirëfilltë kushtetuese është një arsye tjetër shumë e fortë, për ta larguar me votë këtë regjim i cili praktikisht kërkon ta marrë Shqipërinë me vete në humnerën e pashmangshme që e çon çdo pushtet grabitja e zgjedhjeve për të grabitur pastaj vendin dhe zgjedhësit, deklaroi Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›