Shtohet presioni i ndërkombëtarëve për zgjedhjen e presidentit
Dy ditë pasi një nga zyrtarët e Komisionit Europian për çështjet e zgjerimit, Stefano Sanino deklaroi se për statusin do flitet pasi të shohin se si do zgjidhet presidenti, në Tiranë kanë mbërritur dy raportues të Këshillit të Europës, që në fokus të punës së tyre do kenë edhe zgjedhjen e presidentit.
Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, çeku Tomas Jirsa dhe moldavi Grigore Petrenco, vizitojnë Shqipërinë për të vlerësuar ndjekjen e detyrimeve dhe angazhimeve të vendit anëtar.
Nga të hënën deri të mërkurën bashkë-raportuesit për Shqipërinë pritet të takohen me të gjithë krerët e institucioneve dhe partive politike, me shoqata apo diplomatë, por ndër shumë takime, edhe me komisionin parlamentar hetimor për ngjarjet e 21 janarit.
Sipas një komunikate për shtyp të KiE-së, bisedimet do të përqendrohen mbi reformën zgjedhore dhe parlamentare, luftën kundër korrupsionit, kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale si dhe mbi hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.