E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, dyshohet rasti i parë në Shqipëri

Gripi i derrave dyshohet se ka mbërritur edhe në Shqipëri. Përfundimisht, kjo do të vërtetohet nga Instituti i Shëndetit Publik. Dje, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Shërbimin e Infektivit, është izoluar një pacient me komplikacione, i cili dyshohet të jetë prekur nga AH1N1.

Pacienti është punonjës në Ministrinë e Jashtme dhe pas udhëtimit të tij në Siri, ka pasur probleme shqetësuese shëndetësore, për të cilat ka marrë trajtim edhe në Vjenë.

Një delegacion prej shtatë personash, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ndodheshin për një takim në Siri, si pjesëmarrës në Konferencën Islamike. Çdo gjë ka shkuar mirë për gjashtë shqiptarët e tjerë, ndërsa për 57-vjeçarin Saimir Repishti, gjendja shëndetësore është komplikuar. Shenjat e tij të para i kanë bërë mjekët të mendojnë se mund të bëhet fjalë për një rast të prekur nga gripi i derrave. Mësohet se pacienti mund të jetë sëmurë nga ndryshimi i gjendjes klimatike, duke shtuar këtu edhe shqetësimin e tij si pacient kronik me sëmundjen e diabetit. Delegacioni shqiptar ka ndaluar në Vjenë, ku pranë qendrës shëndetësore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe pacienti ka marrë ndihmën e parë shëndetësore. 57-vjeçari, Saimir Repishti punon si shef i Sektorit të OKB-së në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare. "Analizat që po kryhen janë rutinë. Pas përfundimit të tyre do të mund të japim një përgjigje të saktë", tha drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.

Sipas tij, Instituti i Shëndetit Publik, pas shqyrtimit të rastit, pas përfundimit të analizave dhe ekzaminimeve do të japë versionin zyrtar dhe të saktë nëse 57-vjeçari është prekur apo jo nga gripi i derrave, AH1N1. Masat mbrojtëse, informacioni paraprak, fletëpalosjet informative dhe pajisjet e nevojshme për rastet e emergjencës janë shpërndarë në rrethet kryesore të vendit, pranë spitaleve qendrore apo Drejtorive të Shëndetit Publik.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vaksina për gripin e derrit A(H1N1) pritet të dalë në qarkullim si prodhim i firmave më të njohura farmaceutike, vetëm në muajin shtator.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur në dispozicion të fondit të emergjencës shumën prej 1 milion lekësh për përballimin e situatës në rast nevoje. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se tashmë janë shpërndarë në rrethet kryesore të vendit, drejtoritë e shëndetit publik, spitale, qendra shëndetësore, materiale për përballimin e rasteve emergjente, pajisje, mjete dhe gjithë informacioni përkatës. Mjekëve dhe personelit shëndetësor i është paraqitur e gjithë tabloja e informacioneve për gripin e derrit, simptomat, dhënia e ndihmës së parë, informimi, përpunimi i të dhënave dhe dërgimi i informacionit pranë strukturave përkatëse. Simptomat e gripit të derrit janë të ngjashme me atë të gripit normal. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, virusi AH1N1 nuk transmetohet nga konsumi i mishit të derrit. Transmetimi i gripit bëhet njësoj siç ndodh edhe me gripin e zakonshëm.

Protokolli i sëmundjes

Mbrojtje dhe izolim i plotë

Sipas direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandojnë që në rast se dyshohet për një të prekur nga gripi i derrave, atëherë duhet të nisë zbatimi i rregullave standarde.

Mbrojtje me mjete të posaçme për mjekët, personelin dhe trupën mjekësore në spital, izolim i pacientit nga të sëmurët e tjerë. raportimi kohë pas kohe i situatës. Mbajtja në vëzhgim dhe kontroll i pacientit dhe bashkëpunim me Task Forcën. Kërkesa për ndihmë të specializuar nga të gjitha strukturat shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare, për parandalimin e përhapjes së një epidemie. Gripi i derrave nuk transmetohet nga ushqimi, nga produktet dhe nënproduktet e mishit të derrit.

Ndërkohë që këshillohet kujdes dhe raportim i të dhënave hap pas hapi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›