Kasat fiskale futen në sistemin elektronik, Tatimet vazhdojnë kontrollet
Sistemi i instalimit të kasave fiskale duket se më në fund ka hyrë në normalitet, duke nisur nga shitja dhe lidhja me serverin elektronik të Tatimeve. Shitja e çdo produkti transmetohet që prej dy javësh në kohë reale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Tashmë klienti, merr bashkë me produktin që blen edhe faturën fiskale, e cila njihet nga DPT-ja dhe Financat. Në dyqanet, ku janë instaluar pajisjet fiskale të licencuara, shitësit tregojnë se klientët janë ndërgjegjësuar dhe e kërkojnë faturën fiskale, për produktin që blejnë. Bledar Balla, Drejtor i Përgjithshëm i një prej kompanive që është licencuar nga Ministria e Financave, sqaron për mediat se, sistemi elektronik është duke funksionuar në standarde të larta. Të kontaktuar me telefon nga gazeta “Albania”, zyrtarë të Tatimeve sqarojnë se vetëm dy kompani janë autorizuar nga Ministria e Financave, për pajisjen e subjekteve me kasa fiskale, ndërsa 3 kompani të tjera nuk kanë plotësuar akoma standardet e nevojshme. Sipas tyre, dy kompanitë po punojnë me kapacitet të plotë dhe sistemi i transmetimeve të të dhënave të tatimeve rezulton eficient. Ky institucion bën të ditur se, për dy javë janë instaluar 2000 kasa fiskale, ndërkohë që në 2 vjet u instaluan në total 12 mijë makineri të tilla.
Instalimi
Pas testeve të njëpasnjëshme dhe që zgjatën për rreth dy muaj, administrata tatimore konfirmon nisjen e regjistrimit të të dhënave që ofrojnë kasat fiskale gjatë procesit të punës së tyre. Kjo do të thotë se pajisjet fiskale kanë nisur transmetimin e të dhënave për shitjet që bën biznesi në dyqan dhe se deri tani situata duket në tërësi pozitive. Problem mbetet numri i bizneseve të pajisura me kasa fiskale, që nuk i kalon 15 për qind në rang vendi, kur kanë mbetur edhe rreth katër muaj nga skadimi i afatit që është fundi i dhjetorit 2010. Sakaq, administrata tatimore vijon të konfirmojë se nuk do të ketë shtyrje të afatit dhe se do të nisin sërish aksionet në terren për të verifikuar bizneset që nuk kanë respektuar ligjin. Gjithashtu, inspektorët tatimorë kanë inspektuar kasat fiskale që transmetojnë të dhënat, për të parë nga afër punën e tyre.
Procesi
Sipas drejtuesve të kompanive të licencuara, ky proces nuk ka mbaruar ende për të gjitha subjektet. Vetëm nëse komisioni i ngritur nga Ministria e Financave jep miratimin se pajisja funksionon si duhet dhe se transmetimi i të dhënave bëhet në kohë reale, atëherë kompanitë kanë të drejtë të furnizojnë subjektet e vogla që futen për herë të parë në këtë skemë. Ndërkohë, biznesi i madh dhe ai i mesëm kanë hyrë më parë. Në vend janë regjistruar mbi 90 mijë biznese të vogla dhe vetëm në Bashkinë e Tiranës, në fund të vitit 2009, numëroheshin rreth 20 mijë të tilla. Ato që kanë nga 1- 4 punonjës, përbëjnë rreth 92% të tyre. Fatura financiare për zbatimin e ndryshimeve të fundit mbi kasat fiskale do të përballohet nga vetë kompanitë e autorizuara. Kjo faturë konsiderohet e lartë pasi, siç thonë edhe vetë drejtuesit e tyre, ka të bëjë me sisteme të avancuara programimi, të përgatitura nga inxhinierë profesionistë. Mesatarisht, një kasë fiskale (tani me Udhëzimin e ri) do të kushtojë rreth 450 euro me modem.
Kreditë e këqija, BSH ngre alarmin për normën e lartë
Kreditë e pashlyera në banka janë rritur edhe në tremujorin e dytë të vitit, duke pasqyruar vështirësinë e bizneseve dhe individëve për të shlyer huat e marra në banka. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kreditë e këqija arritën në 12 për qind të totalit, nga 11.45 për qind që ishin një tremujor më parë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, pesha e kredive të këqija ndaj totalit të kredisë së dhënë është rritur me 3.3 për qind. Bankat në Shqipëri kanë dhënë në total 457.6 miliardë lekë kredi për bizneset dhe individët. Nga këto, sipas BSH-së, rezultojnë kredi me probleme, të cilat nuk shlyhen rreth 54.8 miliardë lekë ose mbi 500 milionë dollarë. Të dhënat tregojnë se në vlerë shifra e kredive të këqija është rritur krahasuar me vjet me mbi 18 miliardë lekë, ose gati 50 për qind. Banka e Shqipërisë i ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë për të përballuar humbjet nga kreditë që nuk shlyhen. Rritja e kredive të këqija veçse cenon të ardhurat e bankave, ka edhe një sërë efektesh negative për ekonominë. Ato pengojnë kreditimin, pasi bankat detyrohen të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci për kreditë e këqija. Por, veç kësaj, humbjet nga kreditë që nuk kthehen ndikojnë direkt në rritjen e interesave për kreditë e reja që bankat japin për bizneset dhe individët.
Fondet, qeveria bllokon paratë e pushtetit vendor
Njësitë vendore, veçanërisht komunat, do të duhet të presin muajin shtator, në mënyrë që të marrin fondet nga buxheti për vijimin e projekteve. Një urdhër i Ministrisë së Financave, lëshuar këto ditë, autorizon degët e thesarit nëpër rrethe që të mos lëshojnë asnjë fond për komunat, deri në një urdhër të dytë, që parashikohet të jepet në muajin shtator. Nuk është hera e parë që ministria merr të tilla vendime, që sipas specialistëve të saj, nuk lidhet me mungesë fondesh, por thjesht me aspekt teknik dhe zbardhje prokurash.
Informacioni mbi bllokimin e fondeve e japin disa komuna, që nuk duan të identifikohen, sipas të cilave nuk kanë të drejtë të tërheqin fondet për financimin e projekteve të ndryshme, kryesisht infrastrukturore. Shkresa me firmën e ministrit të Financave ka mbërritur në degët e thesarit në fillim të muajit gusht, që nuk prek vetëm komunat. Prej gati një viti, shoqata për Autonominë Vendore ka lëshuar deklarata të ndryshme rreth problemeve me mungesën e financimeve të projekteve nga buxheti i shtetit. Në disa raste, sidomos në muajt e parë të vitit 2010, shoqata ka shprehur shqetësimin se qeveria bllokon fondet për njësitë vendore, duke mos u lënë asnjë mundësi zgjidhje për vijimin e financimit të projekteve. Sakaq, nga Ministria e Financave vjen informacioni se pushteti lokal nuk po tregon performancë të duhur në realizimin e investimeve.
13 Gusht 2010