Shtyhet afati për tenderat
Shtyhet afati për nënshkrimin e kontratave për ndërtimin e rrugëve. Ndryshe nga më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të mund të lidhë kontrata me kompanitë deri në fund të muajit dhjetor, ndërkohë që afati i mëparshëm ishte fundi i muajit tetor. Por Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve e ka pasur të pamundur që të realizojë prokurimet e parashikuara deri në fund të këtij muaji. Përballë një situate të tillë qeveria ka vendosur që ta shtyjë me dy muaj afatin e prokurimit. Në këtë mënyrë qeveria ka miratuar shtyrjen e procedurave të prokurimit për një numër të konsiderueshëm aksesh rrugorë, si rruga Kukës-Morinë, Lushnjë-Fier, Dhërmi-Vuno etj.
Projektvendimi
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në cilësinë e autoritetit kontraktor ka prokuruar gjatë këtij viti në zbatim të buxhetit fillestar të investimeve për vitin 2008, buxhet i cili ka patur shumë shtesa dhe akordim fondesh nga buxheti suplementar. “Po gjatë këtij viti Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është përfshirë në programin pilot të prokurimit elektronik, ku për efekt të njohjes dhe aplikimit shkallë-shkallë të sistemit elektronik të prokurimit, sidomos nga operatorët ekonomikë, kanë rezultuar shumë përsëritje të procedurave të prokurimit”, thuhet në relacionin e këtij projektvendimi. Por sipas kuadrit ligjor të prokurimeve publike përcaktohet qartë se “çdo autoritet kontraktor duhet t’i përfundojë procedurat e prokurimit për mallra, shërbime e ndërtime me fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për atë vit kalendarik deri në datën 31 tetor të çdo viti. Brenda këtij viti përfshihet edhe lidhja e kontratave përkatëse. APP-ja nuk do të botojë njoftimin e kontratës së nënshkruar nëse ai dërgohet për botim pas kësaj date. Botimi i çdo lloj njoftimi tej këtij afati bëhet vetëm me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave”. Në këto kushte Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është në pamundësi të realizojë afro 60 procedura prokurimi për punime zbatimi dhe shërbime konsulence të programuara të realizohen brenda vitit 2008. Në mënyrë që të arrihet realizimi i plan-programeve të miratuara, është e domosdoshme që afati i prokurimit të zgjatet deri në fund të vitit 2008, duke filluar me botimin e njoftimit të fituesit e deri me nënshkrimin e kontratës së lidhur.
Prokurimet
Duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, prokurimet publike do të kryhen vetëm në mënyrë elektronike. Sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë, me prokurimin elektronik kursehet 30-40 për qind më shumë se sa nga prokurimi i hapur. Ndërkohë, Agjencia e Prokurimeve Publike do të shqyrtojë listën e dokumenteve dhe do të kërkojë vetëm dokumentet kryesore në procedurat për tenderët. Dokumentet e tjera Agjencia e Prokurimeve duhet t’i marrë nga agjencitë e tjera dhe nuk duhet të jenë kërkesë ndaj atij që merr pjesë në tender. Aktualisht ekziston regjistri i penaliteteve, ndaj dhe mund të arrihet reduktimi i kërkesave ndaj ofertuesve, gjë që ka një kosto më të ulët.
Shtyrje afati për rrugët
Lushnjë-Fier
Vidhas-kombinati metalurgjik (shtesë)
Kukës-Morinë (vepra arti)
Kukës-Morinë (dy viadukte)
Unaza-Fushë Arrës
Rruga e Divjakës (vazhdim)
Kardhiq-Delvinë loti 2
Dhërmi-Vuno loti 1
Dhërmi-Vuno loti 2
Porto Romano-Durrës loti 1
Porto Romano-Durrës loti 2
Himarë e vjetër-Potam