E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në rrezik,nëntë deputetë paralajmërojnë për grevë urie në Kuvend

 

Aristir Lumezi

Deputetë dhe kryetarë partish paralajmërojnë grevë urie në emër të mbrojtjes së kushtetutës dhe votës së lirë. Përmes një letre drejtuar dje Presidentit Topi, përmes të cilës e informojnë se do hyjnë në një grevë urie, Ilir Meta, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Petro Koçi, Dritan Prifti, Luan Memushi, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Spartak Braho dhe Dashamir Shehi, paralajmërojnë se nëse PD dhe PS kalojnë Kodin e ri Zgjedhor, të paraqitur dje në Komisionin Parlamentar Zgjedhor, ata do të hyjnë në grevë urie. Ata i kërkuan Presidentit të Republikës, Bamir Topi të ndërhyjë me gjithë fuqinë që i jep Kushtetuta, ta ndalojë një gjë të tillë. “Ne deputetë dhe kryetarë të disa partive politike kemi vendosur, që në mbrojtje të Kushtetutës dhe të votës së lirë, të shpallim në vijim një grevë urie për të sensibilizuar opinionin publik shqiptar për grushtin e shtetit që po përgatitet, për të shpëtuar demokracinë e rrezikuar në Shqipëri”, thuhet në letrën e tyre. Duke rreshtuar të gjitha arsyet që i shtyjnë ata të ndërmarrin një veprim të tillë, deputetët shprehen se kodi i ri, që PD dhe PS kanë përgatitur, është shkelje e rëndë e Kushtetutës. “Varianti i ri i Kodit Zgjedhor, i paraqitur nga PS dhe PD, për të hyrë në procedurat parlamentare të miratimit, është shkelje e rëndë dhe flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë. Të dy partitë, synojnë që me anë të një maxhorance parlamentare të likujdojnë demokracinë kushtetuese në Shqipëri, dhe të mos lejojnë në administrimin e zgjedhjeve asnjë alternativë tjetër konkurruese politike, që të mund të rrezikojë pushtetin e tyre”, thuhet në letrën e deputetëve. Ata i kërkojnë Presidentit Topi të ndalojë kodin e ri, i cili për partitë e tjera është manipulim i rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. “Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për ndalimin e kësaj masakre anti-demokratike dhe garantuar gjithpërfshirje në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Gjendja sociale dhe ekonomike që ka sot Shqipëria, e shoqëruar dhe nga një krizë e detyrueshme politike, mund të sjellë përshkallëzime negative për imazhin dhe stabilitetin real të vendit”, shprehen deputetët. Sipas tyre, bashkëpunimi PS-PD për Kodin, në kurriz të partive të tjera, ka të bëjë me pushtetin individual të dy personave. “Çështja që po ngremë është një nga më të rëndësishmet për demokracinë shqiptare. Askush nuk mund të paragjykojë zgjedhjet në funksion të pushtetit individual. Dhe pikërisht për këtë, në Kodin Zgjedhor që po kundërshtojmë, PS-PD janë munduar që të paracaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke e paraqitur si formë demokratike”, thuhet në letrën e tyre. Sipas tyre, Kodi Zgjedhor në pjesën e përbërjes së KQZ-së e bën këtë institucion të kontrollueshëm nga dy partitë PS-PD, cenon nenin 18 të Kushtetutës që sanksionon barazinë e shtetasve ndaj ligjit, dhe shkelje e frymës së kushtetutshmërisë moderne për barazinë.   
“Neni 12 dhe 14 i projektit që flet për KQZ e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 28, që flet për përbërjen e komisioneve të zonave te administrimit zgjedhor, e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 35 që flet për komisionet e qendrave të votimit i bën këto përsëri plotësisht të dominueshme dhe kontrollueshme vetëm nga aleanca PS-PD. Edhe neni për caktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit monopolizohet përsëri vetëm nga PS-PD” thuhet në letrën e tyre.

Kërkesa e deputetëve

Të ndalohet miratimi i Kodit të ri Zgjedhor dhe të garantohet  gjithpërfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Një krizë e detyrueshme politike mund të sjellë përshkallëzime negative për imazhin dhe stabilitetin real të vendit 
Në Kodin Zgjedhor që po kundërshtojmë, PS-PD janë munduar që të paracaktojnë rezultatin e zgjedhjeve. duke e paraqitur si formë demokratike
Neni 28 që flet për përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD.
Neni 35 që flet për komisionet e qendrave të votimit i bën këto përsëri plotësisht të dominueshme dhe kontrollueshme vetëm nga aleanca PS-PD.
Edhe neni për caktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit monopolizohet përsëri vetëm nga PS-PD.
E papranueshme që kompozimi i gjithë këtyre komisioneve të bëhet mbi rezultatet e zgjedhjeve të Mega Dushkut të vitit 2005, të cilat i kanë dënuar gjithë faktorët politik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Topi: Do të ushtroj kompetencat kushtetuese

Kryetarët e partive LSI, PDK, PS 91 dhe LZHK, takuan në Pallatin e Brigadave kreun e shtetit. Nxitje për këtë takim u bë miratimi në Komisionin e Posaçëm Parlamentar Zgjedhor të Kodit Elektoral, i cili nuk mori parasysh asnjë nga propozimet alternative të LSI-së dhe partive të tjera. Ilir Meta, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Petro Koçi informuan Presidentin Topi mbi situatën politike në vend pas shpërfilljes nga dy partitë kryesore, PS-PD të interesave të partive të tjera, duke cenuar në këtë mënyrë parimin e gjithëpërfshirjes në diskutimin për Kodin Zgjedhor por dhe në procesin e administrim të votës së shqiptarëve. Nga ana e tij, Presidenti Topi u shpreh se do të përpiqet të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore që i jep kushtetuta në këtë proces. Por krerët e partive politike u shprehën të vendosur se do të përdorin të gjitha format demokratike të kundërshtimit të dhunimit të votës së lirë të shqiptarëve.

PS-PD përjashtojnë LSI nga KQZ

Bledar Hoti

Dy partitë e mëdha vendosin veton duke mos pranuar kërkesën e LSI-së për formulimin e KQZ-së me nëntë anëtarë. KQZ-ja do të ketë tashmë shtatë anëtarë, si dhe do të jetë me një përbërje puro politike. Katër anëtarë do jenë në krahun e maxhorancës, ndërsa tre të tjerët do të jenë të opozitës. Skema e vendosur ka risjellë krijimin e një institucioni, e pse në letër do të jetë i pavarur, shtatë anëtarët do të jenë të propozuar nga partitë politike.
Amendamentet e LSI-së
Anëtari i LSI-së në këtë komision të posaçëm, Spartak Braho, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura ka paraqitur amendamentet e LSI-së për një Komision Qendror të Zgjedhjeve me 9 anëtarë gjithsej. Në amendamentin e propozuar, LSI kërkonte që dy anëtarët të zgjidheshin nga dy anëtarë të partive të vogla të maxhorancës dhe dy anëtarët e tjerë të propozohen nga parti të tjera të opozitës, duke përjashtuar PS-në. Pjesa e 5 anëtarëve që i takonte PS-së dhe PD-së nuk amendohej nga ana e LSI-së. Por propozimet e Brahos nuk u morën në konsideratë nga ana e anëtarëve të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Komisioni i Posaçëm pranoi propozimet e paraqitura nga ekspertët e PS-së dhe të PD-së për reformën zgjedhore.
Formula 6+1
PD dhe PS kanë rënë dakord në rikthimin e mëparshëm të KQZ-së me variantin 6+1. Kësaj here të gjitha anëtarët e KQZ-së do të zgjidhen nga Parlamenti, duke shmangur emërimin nga institucionet e tjera si Presidenti apo KLD-ja. Sipas pikës a) të nenit 14 të projekt-Kodit të ri, Dy anëtarët e KQZ-së zgjidhen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga radhët e maxhorancës dhe dy anëtarët e tjerë zgjidhen nga partia e opozitës së ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. “Subjektet propozuese në fazën e përzgjedhjes paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidaturat në përputhje me kriteret e parashikuara në gërmën a) të kësaj pike. Subjektet propozuese të gërmës a) përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini, si dhe kandidaturat të përzgjedhura sipas gërmës b) të pikës 1/a të nenit 14 i paraqiten Kuvendit për miratim”, thuhet në nenin 14 të projekt-Kodit. Ndërsa mënyra e përzgjedhjes së anëtarit të pesë dhe të gjashtë, Kuvendi ka përcaktuar që të shkojnë për partitë e tjera me skemë të veçantë. “Anëtari i 5 i KQZ-së, zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupimeve deputetësh të partive të maxhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të maxhorancës. Anëtari i gjashtë të KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës  parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidaturat, se dy kandidatura për vakancën përkatëse”, thuhet në pikën d të nenit 14. Ndërsa është përcaktuar se Kuvendit, i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve të mbështetësve të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të maxhorancës dhe opozitës, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim. Ndërsa anëtari i shtatë që është edhe kryetari i KQZ-së, i takon maxhorancës, PD-së dhe zgjidhet pasi të ketë përfunduar zgjedhja nga Kuvendi i gjashtë anëtarëve të tjerë. Grupi më i madh i maxhorancës paraqet një listë jo më pak se katër kandidatura. Grupi parlamentar më i madh i opozitës përzgjedh jo më pak se dy kandidatura, të cilat kalojnë për votim. Kryetari i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit. Ndërsa zv.kryetari i KQZ i takon opozitës dhe zgjidhet nga ky institucion.

si zgjidhen mandatet

Neni i kritereve të mandateve

1. Numri i mandateve për secilën zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve së secilës zonë. Çdo mandat përfaqëson një numër të përafërt shtetasish.

2. Numri total i shtetasve, sipas regjistrit kombëtar të gjendjes civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve sipas nenit 64 të Kushtetutës, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.

3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore del duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar sipas pikës dy të këtij neni.

4. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përfituar nga pjesëtimi i pikës tre të këtij neni.

Neni për Përllogaritjen e mandateve në Kuvend

1. Tre ditë pas përfundimit të procesit të ankimimit të zgjedhjeve, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë mbi bazën e numërimit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore. Për zgjedhjet në Kuvend, përjashtohet nga shpërndarja e mandateve partitë politike që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 % të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse.

2. Numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt, pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme  me numra natyrore të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që i shpërndahen në qarkun përkatës. Hapi nga njëri pjesëtues te tjetri është 1. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret i plotë më i afërt.

KZAZ dhe skema e shpërndarjes në tërë Shqipërinë

Zonat Administrative në vend do të përbëjnë ndarjen e re të territorit, sipas 140 mandateve të deputetëve. Sipas Kodit, rrethet që kanë më shume se 60 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ në më shumë se një ZAZ, duke ruajtur territorin gjeografik dhe ndarjen administrative. Sipas skemës 6+1 do të zgjidhen të gjitha komisionet e tjera që do të merren me administrimin e procesit zgjedhor të qershorit të ardhshëm. Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor që funksionojnë do të ngrihen mbi bazën e vendimeve të KQZ-së, ku do të përcaktohej edhe formula e përfaqësimit të tyre, sipas skemës 4 me 3 ndërmjet raportit të maxhorancës dhe opozitës. Këtu dy anëtarë propozohen nga PD, dy anëtarë nga PS, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës. Sipas Kodit, në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore, deri në arritjen e atij baraspeshimi mes pozitës dhe opozitës. Anëtari i shtatë ndahet në mënyrë të barabartë mes pozitës dhe pozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›