Arrestimi i kryekomunarit, hetim tenderëve
LIBRAZHD – Arrestimi i ish-kryekomunarit të Polisit çon hetuesit për të verifikuar të gjithë aktivitetin e tij si pushtetar vendor. Hasan Terziu u prangos me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën të tenderit për ndërtimin e një ujësjellësi. Sipas policisë, 4 milionë lekë të akorduara nga qeveria nuk u vunë asnjëherë në punë, por u vodhën pa u investuar për qëllimin që patën. Për pasojë, grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur dokumentacionin e plotë mbi periudhën kur Terziu drejtonte komunën e Polisit në Librazhd. Pikërisht vitet nga 2003 e deri në 2007 janë në qendër të hetimit, kryesisht dosjet e tenderëve dhe investimeve të ndryshme në këtë komunë, e cila renditet si një ndër më të mëdhatë në Librazhd. Krahas Terziut po hetohet dhe Tomor Hidri, administratori i firmës së ndërtimit “Reto” shpk me seli në komunën e Peqinit, Shezë. Ky person rezulton që të jetë fitues i disa tenderëve që janë zhvilluar në këtë njësi vendore. a.k