E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen mina, vdes në galeri minatori

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Humb jetën një vit pas nisjes së punës në minierën e kromit të Bulqizës 47-vjeçari Ivzi Veseli. Babai i dy fëmijëve mbeti i vdekur rreth orës 14:30, pas shpërthimit të eksplozivit për të hapur fronte të reja pune. Sipas zyrtarëve të firmës, faji ka qenë i viktimës, ndonëse minatorët e hedhin poshtë këtë fakt, duke thënë se vetëm zjarrmëtari ka pajisjet për të ndezur minat.
Kolegë të viktimës, dëshmitarë në galerinë e nëntokës sqarojnë se minatori Ivzi Veseli po punonte në fund të galerisë, duke hapur vrimat për shpërthimin e radhës me lëndë eksplozive. Por me sa dyshohet, një minë e pashpërthyer gjatë eksplozionit të mëparshëm i ka marrë jetën minatorit. Minatorët që kanë mësuar të parët lajmin e keq pohojnë për “Panorama”, se Veseli punonte së bashku me zjarrmëtarin Kujtim Lami, por askush nuk thotë me saktësi nëse ai ka qenë bashkë më të në frontin e punës apo jo. Pas ngjarjes së rëndë minatorët kanë marrë trupin e viktimës dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit. Pas ekspertizës mjeko-ligjore mësohet, se minatori 47-vjeçar ka humbur jetën në çastin e shpërthimit të minës, pasi ajo e kishte dëmtuar në pjesë të ndryshme. “Nuk kishim asnjë mundësi t’i vinim në ndihmë”, thanë minatorët e tjerë të nivelit 16, nënkati i parë i minierës së kromit Bulqizë”. Bajram Duka, punëtor i këtij niveli tha se “kjo minierë vazhdon të marrë viktima. Kjo është e 14-ta. Veç tyre, dy banorë të tjerë të Bulqizës vdiqën në stoqet e kromit dhe 2 në minierat e Batrrës Martanesh. Minierat nuk kanë kushte për jetën e minatorëve. Edhe kolegu ynë Ivziu vdiq për shkak të kushteve të rënda të punës dhe mungesës së kushteve të sigurimit teknik në minierë”. Ai shprehet i indinjuar se minatorët po vdesin njëri pas tjetrit dhe askush nuk interesohet për viktimat. “Nuk vijnë as pranë spitalit, në morgun e tij, të paktën për të ngushëlluar familjarët dhe minatorët e tjerë. Të paktën të kishte ardhur sonte pranë nesh dhe familjarëve që humbën njeriun e tyre të dashur përgjegjësi i sektorit e brigadieri i turnit. Ne vazhdojmë të trajtohemi si kafshë dhe jo si njerëz”, akuzon Duka.
Alban Bala, zëdhënësi i ACR-së, pjesë e së cilës është dhe miniera e kromit Bulqizë u shpreh pas ngjarjes se stafi drejtues i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës Ivzi Veseli. Sipas tij, minatori kishte filluar punë në minierë në qershor të vitit të kaluar dhe punonte në nivelin e 16. Ai vinte nga Maqellara dhe kishte dy fëmijë. Bala pohoi se ngjarja nuk është zbardhur ende nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, por nga dëshmitë e para mendohet se Veseli ka kryer një shpërthim para kohe dhe pa dijeninë e zjarrmëtarit Kujtim Lami, ndërkohë specialistë të nëntokës thonë se shpërthimi realizohet vetëm nga zjarrmëtarët, të cilët disponojnë pajisjet për shpërthimet elektrike të minave. “Këtë pajisje nuk e dispononte viktima”, thonë kolegë të tij. Mbrëmë në minierën e Bulqizës kanë mbërritur dhe ekspertë të avari shpëtimit për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë. Policia ka shoqëruar disa persona, por pa ndaluar asnjë prej tyre, derisa hetimet e plota të zbardhin dhe rrethanat e tragjedisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›