Djali i xhaxhait, 15 thika topografit
BERAT - Topografi i komunës Kutalli në Berat është masakruar dje me thikë nga djali i xhaxhait të tij. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orët e paradites, kur 45-vjeçari Bujar Selami është qëlluar disa herë në trup. Viktima është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit. Burime pranë repartit të kirurgjisë në këtë spital bëjnë të ditur se pacienti kishte mbërritur në gjendje të rënda me plot 15 plagë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, thikë. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në terapi intensive. Drejt vendit të ngjarjes mbërritën ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet rreth kësaj ngjarje. Burime të policisë bënë të ditur se pas hetimeve dhe deklarimeve të dëshmitarëve, autori i ngjarjes rezultoi se ishte djali i xhaxhait të topografit. Pëllumb Selami u shpall në kërkim me akuzën e plagosjes së rëndë. Policia po punon për shkakun e kësaj ngjarjeje, që pritet të zbardhet pasi të merret në pyetje i dëmtuari dhe autori pas arrestimit. d.xh