Kriza financiare, qeveria shtyn emetimin e eurobondeve
FABIOLA ÇELA
Kriza financiare ndërkombëtare e ka detyruar qeverinë shqiptare që të mos marrë pjesë në tregun evropian të boneve të thesarit. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, në konferencën e kryetarëve. “Ne mendonim që në vitin 2009 Shqipëria të kishte arritur pjekurinë e mjaftueshme në tregun financiar, por edhe në kapacitetet fiskale për të dalë me eurobond, për të nxjerrë vendin në tregun e bonove evropiane të thesarit. Zhvillimet në tregun financiar kohët e fundit kanë dëshmuar një mungesë stabiliteti dhe një tronditje, çka është shoqëruar jo vetëm me pakësimin e fondeve publike, por edhe me një rritje të normës së interesit”, është shprehur ministri. Sipas tij, nuk është momenti i përshtatshëm për të dalë në treg dhe për të blerë bono 15–20-vjeçare, pasi do të paguanin një kosto të lartë. “Në momentin kur tregu financiar do të jetë i stabilizuar, Shqipëria do të dalë në treg me rreth 300 milionë euro, për të nxjerrë një bono në tregun evropian, por në kushtet e një tregu stabël me interesa të përshtatshme dhe jo në kushtet që jemi aktualisht”, ka theksuar Bode. Në projektbuxhetin e vitit 2009 qeveria ka parashikuar që të zvogëlojë deficitin buxhetor prej 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2008. Pra programimi i deficitit për vitin 2009 është 4.2% e PBB-së.
Pensionet
Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet. “Nga data 1 maj ne do të bëjmë rritjen e programuar të pagave, çka do të thotë një kosto më e lartë për vitin 2009, por kjo është e domosdoshme për faktin se më vonë do të ishte i pamundur materializimi i rritjes së pagave, për shkak se programohet që viti 2009 të jetë periudhë zgjedhjesh, kështu që konsolidohen të gjitha politikat më përpara”, ka thënë ministri Bode. Sipas tij, pensionet e fshatit do të rriten me 20% dhe të qytetit me 10% nga data 1 maj, pra me një ritëm rritje shumë më të lartë se inflacioni. Ndërkaq sipas projektbuxhetit të vitit 2009 rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Pak ditë më parë qeveria ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2009, sipas të cilit sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 për qind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Në këtë mënyrë fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës në 2009-ën është parashikuar që të rritet me 10 për qind. Ndërsa për sektorin e shëndetësisë qeveria ka vendosur që në 2009-ën pagat të rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave në 2009-ën do të rritet me 2.6 për qind.