Sida qarkullon brenda vendit, gjatë 2008-s, 35 raste të reja
Specialistët e shëndetësisë shprehen se sëmundja e shekullit po merr gjithnjë e më shumë ngjyra shqiptare
Virusi vdekjeprurës HIV-AIDS po qarkullon brenda vendit. Personat e prekur nga kjo sëmundje janë të gjithë të infektuar nga të tjerë që jetojnë po brenda territorit të Shqipërisë. Situata ka marrë tjetër rrjedhë, në ndryshim nga koha kur u shfaqën rastet e para në vitin 1993, kur ishin kryesisht persona të infektuar jashtë shteti.
Dje, në Ditën Ndërkombëtare kundër HIV-AIDS, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli, pohoi se “rastet e personave të prekur nga kjo sëmundje në fillim kanë qenë kryesisht të importuara. Tashmë gjithmonë e më tepër po vërejmë raste të infektuara në Shqipëri”.
Situata
Me gjithë optimizmin e krerëve të shëndetësisë mbi prevalencën e ulët të kësaj sëmundjeje në vendin tonë, situata po ndryshon dita-ditës. Ndërkohë që vërehet një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja. Nga ana tjetër vihet re edhe një numër i madh i rasteve të padiagnostikuara. Por ministrja e Shëndetësisë, Godo, është optimiste. Dje ajo është shprehur: “Mbështetur në numrin e personave të diagnostikuar dhe raportuar, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV”.
Vlerësime të tjera të bëra tregojnë se vendi ynë mund të përballet me një rritje të shpejtë të numrit të rasteve, nëse nuk merren masat e duhura për parandalimin e epidemisë, e në mënyrë të veçantë, te grupet me risk më të lartë dhe më vulnerabël të popullatës.
Rastet
Deri në nëntor 2008 numri total i rasteve me HIV-AIDS është 291 dhe vetëm në vitin 2008 janë zbuluar 35 raste të reja. Meshkujt vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të rasteve 69% (202 raste), por vërehet një rritje e numrit të femrave HIV pozitiv 31% (89 raste). Nga rastet e reja të diagnostikuara në vitin 2008, 15 prej tyre janë femra. Që prej vitit 1993, kur u zbulua rasti parë me HIV, 99 persona kanë shfaqur AIDS dhe 56 prej tyre kanë vdekur. Transmetimi seksual vazhdon të dominojë në mënyrën e transmetimit të infeksionit HIV me 90.4% të rasteve (81.4% heteroseksuale dhe 9% homo-biseksuale). Në 3.8% të rasteve infeksioni është transmetuar nëpërmjet gjakut, 4.5% nga nëna te fëmija dhe 1% tek përdoruesit e drogave me injektim (PDI). Numri i fëmijëve të prekur nga infeksioni HIV është 17; 12 prej tyre janë infektuar nëpërmjet transmetimit nga nëna te fëmija dhe 5 nëpërmjet gjakut. 12 fëmijë trajtohen me terapi antiretrovirale pranë Shërbimit Pediatrik, ndërsa 5 të tjerë pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive për të rritur.
Numri më i madh i rasteve u përkasin grupmoshave 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç, respektivisht me 71 dhe 94 raste.
Pas studimit të parë të kryer në vitin 2005, këtë vit u realizua Studimi i dytë i Survejancës Biologjike dhe të Sjelljeve të grupet vulnerabël, MSM, PDI dhe popullatën rome. Nga të dhënat e këtij studimi rezulton se prevalenca e infeksionit HIV vazhdon të mbetet e ulët, te MSM prevalenca vlerësohet të jetë 1.8%, ndërkohë që nuk u zbuluan raste te PDI dhe popullata rome. Niveli i vlerësuar i prevalencës së sifilizit ishte më i lartë midis MSM (2.6%), duke treguar një risk potencial për transmetimin e HIV-it; nivele më të ulëta janë regjistruar midis PDI (0.5%) dhe MSM (0.3%).