E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet kandidatura e Cefës, debate për shoqëritë bujqësore

Kuvendi ka shtyrë për javën e ardhshme diskutimin dhe miratimin e kandidaturës së Elvis Cefës, si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka njoftuar se është mbledhur konferenca e kryetarëve dhe është vendosur që kandidatura e Elvis Cefës të shtyhet për seancën e ardhshme parlamentare.
 

Ndërkohë Kuvendi po vijon debatin “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”. Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe akuzoi qeverinë se e ka lënë në harresë fshatin.
 

“Fshati është lënë në harresë. Ligji I cili është paraqitur sot është i pamjaftueshëm pasi nuk nxit bashkëpunimin për prodhime mes këtyre shoqërive si dhe vë në dyshime edhe rimbursimin e 6 përqindshit të vlerës së prodhimit të shitur. Ligji gjithashtu nuk zgjidh problemet që ka fshati dhe problemet që kanë bujqësit si rritja e shërbimit të bimës, blerjes dhe tregëtimit të prodhimit, rritjes së shërbimit të punimit të tokës, rënies së konsumit” ka theksuar Braçe.

“Sot në fshat nuk ka para. Kostoja është rritur ndjeshëm. Zinxhiri i borxheve që është vendosur në fshat është bërë i papërballueshëm” ka theksuar më tej Braçe.

Në përgjigje të deputetit socialist ministri i Bujqësisë Genc Ruli tha se varfëria në fshat në krahasim me vitin 2002, kur kanë qeverisur socialistët, është 50 % më pak ndërsa Investimet në ujësjellësa, arsim janë 4 herë më shumë se në 2002.

Duke iu referuar akuzës se qeveria ka vjedhur idenë e programit socialist në lidhje me këtë pr/ligj Ruli u përgjigj “Të vjedhësh një ide është vjedhja më e bukur". "Megjithatë unë këtë nuk e kam lexuar te enciklika e bujqësisë, i vini dhe emra kishtarë pale, por kjo ide nuk ka nevojë të shpiket sepse është eksperiencë europiane” shtoi ai

Ndërkohë disa prej projektligjeve të cilat janë vendosur në rendin e ditës si projektligjet “Për shëndetin mendor”, “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Gjykatën Administrative pritet të shtyhen pasi vijon ende shqyrtimi në komisione.

Më pas deputetët do të diskutojnë projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare “Për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave doganore”, bërë në KYOTO, më 18 maj 1973 (e ndryshuar)”.

Gjithashtu në seancën e sotme do të shqyrtohet edhe një projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Prokurimeve për vitin 2011”.

Në rendin e ditës është planifikuar edhe një interpelancë me Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›