E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet privatizimi

Shitja e PTK’së ka mundësi që nuk do të ndodh sivjet, siç ishte paralajmëruar nga Qeveria. Burime të Express tregojnë se shtyrja mund të ndodh për shkak se do të ndërrohet Këshilltari i Transaksionit. Tek në shtator, përzgjidhet Këshilltari tjetër. Ministri Besim Beqaj, s’flet për këtë çështje. Nga Arben Hyseni më 06 gusht 2011 në ora 09:33

Privatizimi i Postës dhe Telekomit nuk po shkojë sipas planifikimeve të Qeverisë së Kosovës. Drejtuesit e saj patën deklaruar se në shtator kompanitë konkurruese për privatizimin e PTK’së do të sjellin ofertat e tyre financiare, në tetor do t’i shqyrtojnë, ndërsa në nëntor apo dhjetor do të nënshkruajnë kontratën me pronarin e ri.
Por, tash gjërat janë komplikuar.

Në shtator, Ministria për Zhvillim dhe Ekonomi do të merret me ofertat për këshilltar të ri të transaksionit, e jo me ofertuesit për blerje siç ka qenë e paraparë.
Në këtë gjendje i ka sjellë skadimi i kontratës me këshilltarin aktual të transaksioni, Telco AG. Expressi e ka kuptuar këtë përmes burimeve të tij brenda Qeverisë.
“Qeveria po kërkon një këshilltar tjetër të transaksionit dhe rivlerësimi i aseteve të kësaj kompanie të madhe merr shumë kohë, prandaj do të shtyhet privatizimi”, tha burimi i gazetës.

Ka mundësi, tregon ai, që gjithçka në këtë proces të kthehet nga pika zero. Do të thotë që nga rivlerësimi i aseteve.
Problemet duket se kanë dalë edhe nga situata politike në vend që ka frikësuar gjigantët të derdhin investimet e tyre këtu. Deutsche Telecom, si njëri prej konkurrentëve kryesorë, tashmë ka anuluar vizitën e tij më 28 gusht që e pati caktuar.
Goditjen më të madhe këtij procesi ia ka dhënë këshilltari i transaksionit Telco AG, e cila i ka bërë një vlerësim jashtëzakonisht të ulët PTK’së. Saktësisht një vlerë maksimale prej 150 milionë eurosh. Kjo shumë, tregojnë burime të Expressit, i ka shtyrë qeveritarët në kërkim të një këshilltari të ri.

“Nuk dihet se çfarë do të konstatojë këshilltari i ri i transaksionit për atë edhe nuk dihet se si dhe deri kur do të shtyhet ky proces”.

Duart në këtë proces i kanë futur edhe drejtuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë kërkuar sqarime shtesë për vlerën e kompanisë dhe formën e tenderimit.
E në krejt këtë situatë, protagonistët e këtij procesi kanë zgjedhur heshtjen.
Ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj tha se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje.
Ai rekomandoi që pyetjet e tilla të shkojnë përmes zyrës për informim.
“Nuk përgjigjem”, tha ai, për Express.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Postës dhe Telekomit thonë se i kanë përfunduar obligimet e tyre në këtë proces.

Por kjo çështje, sipas tyre, mbetet në dorë e pronarit, Qeverisë së Kosovës.
“Ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona që i kemi pasur në këtë proces dhe tash mbetet e tërë puna te Qeveria si pronar që është”, tha Menduh Abazi, shef për komunikim në PTK.

Privatizimi i PTK’së duket se po shkon me shumë zor ashtu qysh edhe ka filluar.
Ky proces pati hallakatur edhe koalicionin PDK-LDK.

Të interesuar për blerjen e postës kanë qenë rreth 40 kompani botërore. Tashmë vetëm dy janë në garë- Austri Telecom dhe Deutsche Telecom me partner Croatian Telecom.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›