E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen dy persona, vidhnin makineritë e firmës së gurit

Përmet Efektivat e policisë së Komisariatit të Përmetit kanë ndaluar dy të rinj, të cilët dyshohet se janë autorët e vjedhjeve të përsëritura të makinerive dhe pajisjeve të tjerave teknike të një firme të përpunimit të gurit. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet kanë ndaluar 32-vjeçarin Ylli Done nga fshati Peshtan, Përmet, dhe Elis Canin, 22 vjeç, nga Mezhgorani i Tepelenës, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “vjedhje e kryer në bashkëpunim”. Dy të ndaluarit në vendin e quajtur Kodra e Çomes, në fshatin Mbrezhdan të rrethit Përmet, kanë tentuar të vjedhin pjesë të makinave të rënda të firmës “Albanera”, e cila nxjerr dhe përpunon pllaka guri në këtë zonë. Sipas grupit hetimor, dy të ndaluarit përpara disa ditësh kanë vjedhur katër bateri të makinave të tonazhit të rëndë si dhe sasi të konsiderueshme nafte në mjediset e kësaj firme. Për të transportuar pajisjet e vjedhura ata përdornin automjetin tip Benz me targa DR 2719 B, i cili ishte në pronësi të 22-vjeçarit Cani. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 6 bateri të automjeteve të rënda, një sasi të konsiderueshme nafte, pajisje teknike etj. B.SH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›