Intervista e Imamit: "Tirana ka nevojë për Lulzim Bashën"
Në një intervistë të posaçme për “ABC news”, ministri i Mbrojtjes Arben Imami vë theksin tek dallimi i dy ofertave për zgjedhësit kryeqytetas dhe tek alternativa për qytetarin që sjell kandidatura e Lulzim Bashës Pse Lulzim Basha? Pse kush tjetër Alternativa ka plot? Besoj se është zgjedhja më e mirë, është kandidatura më e mirë për Tiranën për Partinë Demokratike dhe për vendin, sepse Tirana është kryeqyteti i vendit. Një kryetar i mirë Bashkie në Tiranë është një shembull i mirë për qeverisjen. Pse? Arsyeja e parë, sepse është një politikan i cili ka produkt. Nëse bëjmë një bilanc, zoti Basha megjithëse i ri, ka një eksperiencë 6-vjeçare në qeverisje, dhe këto 6 vite mund të bëjmë një bilanc, dhe mund të them: 2 vjet si ministër i Transporteve, rruga Durrës-Kukës, Ministër i Jashtëm, anëtarësimi në NATO, Ministër i Brendshëm, liberalizimi i vizave. Do e kishte të vështirë çdo socialist të thoshte çfarë ka bërë Rama në 11 vjet përveç bojës në Tiranë. Ka një diferencë të thellë serioze dhe të madhe midis dy kandidatëve. Rama e ka thënë dhe vetë se është i panevojshëm për Tiranën. E ka thënë dhe vetë para disa javësh “nuk jam më i nevojshëm mund të jetë dikush tjetër”. Të gjithë ne mendojmë se Basha është i nevojshëm për Tiranën. Madje unë doja të thoja që Rama është i dëmshëm për Tiranën, ka 4 vite stanjacion të plotë. Ndërsa të gjitha projektet e tij dhe ambicia e tij politike, dhe ambicia e tij politike është normale sepse si kryetari i Partisë më të madhe në opozitë kërkon te jetë Kryeministër, është një mungesë në qytetin e Tiranës. Unë nuk e di si mund të votohet një njeri që aplikon për të munguar aty ku zgjidhet. Ndërkohë që, karriera politike e Lulzim Bashës e kërkon që edhe ai personalisht të riafirmojë veten në një detyrë kaq të rëndësishme. Në këtë mënyrë përputhen në mënyrë të plotë interesat e qytetit, nevojat e qytetit, me një politikan ambicioz, të ri inteligjent, aktiv, përkundrejt një njeriu që faktikisht e ka braktisur Tiranën. Sa ndihmon konsensusi i aleatëve në përzgjedhjen e Lulzim Bashës, të paktën publikisht nuk ka pasur asnjë pretendim qoftë nga LSI, qoftë nga forcat e tjera? Ky është një element shumë i rëndësishëm në favor të Bashës dhe Koalicionit Aleanca për Qytetarin, që nuk kemi pasur mospëlqime dhe mosmarrëveshje. Për zotin Basha ka qenë të gjithë dakord. Që nga momenti i parë është parë si kandidatura më e përshtatshme për Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, PS dhe Kryetari i saj deri para pak orësh nuk e ka pasur të qartë, nëse duhet të kandidojë apo jo, duhet ta bëjë, nuk duhet ta bëj, do të luftojë në opozitë për kryetarin e shumicës së ardhshme parlamentare, apo do të luftojë për Bashkinë e Tiranës. Në fakt Rama e do Bashkinë e Tiranës si trampolinë për të lëvizur pas dy vjetësh. Pra ai po i thotë praktikisht qytetarëve; më votoni mua se unë dua të iki pas dy vjetësh. Në fakt, ky është një mandat 4 vjeçar dhe jo 2 vjeçar, edhe sikur zoti Rama ti fitonte ndonjëherë zgjedhjet Parlamentare. Kjo betejë e zotit Rama destinacioni i së cilës nuk është e qartë nëse do të shkojë drejt Bashkisë së Tiranës apo drejt postit të kryeministrit, ju vështirëson apo ju lehtëson para tij? Na lehtëson situatën. Për ta vazhduar mendimin, nga aleatët por dhe brenda partisë ka një mbështetje të plotë, për z.Basha. Nuk është e njëjta situatë për zotin Rama, ai po hyn në një fushatë para së cilës e ka zvogëluar koalicionin në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm, ai e ka zvogëluar koalicionin në të gjitha vitet e fundit që e ka drejtuar PS. Së fundmi 23 Parti zoti Imami, pavarësisht se sa konsiderohen parti? Unë flas për parti që kanë një peshë të vogël në jetën politike të vendit. Nuk flas për parti që nuk ekzistojnë, nuk është çështje numrash dhe emrash. Partitë kryesore që funksionojnë që kanë marrë vota dhe janë aktualisht në parlament, janë të gjitha në koalicion me PD. Ndërkohë që, Rama ka probleme të brendshme partiake, një pjesë e madhe e militantëve të partisë dhe drejtues qendrorë dhe lokalë që ishin deri para tre vitesh figura të rëndësishme, nuk bashkohen me politikat anti-institucionale të zotit Rama dhe me devijimin nga kjo traditë e moderimit dhe social-demokracisë. Nga kjo pikëpamje, zoti Rama jo vetëm që nuk është i nevojshëm për Tiranën siç e ka thënë dhe vetë, jo vetëm që do të ishte i dëmshëm për Tiranën, por zoti Rama është një barrë për Partinë e tij në këtë moment. Zoti Rama hyri me premtimin e madh në postin e Kryetarit të PS, me premtimin e madh se do të rrëzonte armikun e përjetshëm, Berishën. Humbi dy palë zgjedhjeve, humbi në vitin 2007, pavarësisht se fitoi në Tiranë, por humbi në rang vendi. Humbi dhe zgjedhjet e 2009, dhe nga kjo pikëpamje Rama nuk i premton asgjë socialistëve, nuk është më një e ardhme për PS. Rama është thjeshtë një barrë dhe si çdo barrë do të gjendet rasti ta lëshojnë ta hedhin. Nuk e di si mund të ndodhë, por kjo është piktura që kemi sot para syve. Në momentin që për zotin Rama zgjedhjet e 8 majit janë mbijetesë politike, sa të ashpër e bën kjo betejën, përballë zotit Basha dhe PD? Unë besoj se do të ketë një dialog të zotit Basha dhe kandidatëve të tjerë të Koalicionit “Aleanca për të Qytetarin”, me Tiranën, dhe mesa duket zoti Rama do të vazhdojë me monologun e tij për vete dhe më vete. Ne do flasim për qytetarin dhe nevojat e qyteteve. Ne po flasim për një Tiranë që duhet të bëhet më të vërtetë moderne dhe europiane, ne po i japim një ministër të rëndësishëm të kabinetit, me besimin dhe me arsyen se ky njeri ka kryer si politikan dhe administrator veprën më moderne që kemi në Shqipëri, rrugën e kombit. Ne po i themi Shqipërisë dhe Tiranës, që ofrojmë njerëzit që do ta marrin qytetin tuaj prej këtu dhe do ta çojnë para, drejt një Shqipërie europiane dhe moderne. Ndërkohë që, zoti Rama dhe kandidatët e tjerë socialistë do i thonë qytetarëve se, siç i kemi punët, Tirana është shumë mirë, nuk ka problem pse ka shumë ajër të ndotur, nuk ka problem pse ka pluhur, nuk ka problem pse ka trafik, nuk ka problem pse nuk ka shkolla edhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme, por e rëndësishme është të rrëzojmë Saliun. Kjo është qesharake. Sigurisht që qytetari nuk do të dëgjojë, mund të ketë dhe do ketë militantë që do ta votojnë këtë platformë, por do jenë të pakët. E njëjta gjendje është në Elbasan, “Aleanca për Qytetarin” ka dalë me kandidaturën e zotit Hushi. Çfarë propozojmë ne si aleancë, çfarë propozon zoti Hushi si kandidat i ynë. Elbasani që është një pikë centrale e Shqipërisë ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e zhvillimit dhe së ardhmes. Po ndodhin shumë ngjarje të mëdha. Ngjarja e parë e madhe është që Elbasani për dy vite do lidhet më Tiranën me një autostradë dhe Elbasani do të bëhej pjesë e një metropoli që ka brenda vetes Durrësin, Tiranën, etj. Po ndodh një investim i madh në lumin Devoll i cili do angazhojë punë, njerëz tregti. Dhe këtu ka nevojë për njerëz inteligjente, për ti përgatitur qytetarët për këto projekte. Çfarë premton kryetari aktual i Bashkisë në Elbasan? Ato allishverishet e vogla të qytetit dhe një qytet provincial, sigurisht, dhe të rrëzojmë Saliun. Nuk është fjala tek individi, në thelb PS dhe Edi Rama duan të rrëzojnë PD-në, në mënyrë jo institucionale. Kjo është gjë e së shkuarës, kjo u provua më 21 Janar dhe dështoi me sukses dhe nuk ka më të ardhme. Ajo që bëri përshtypje në fjalimin e zotit Basha ishte konkretësia e premtimeve për qytetarët e Tiranës. Të themi, kjo fushatë e PD dhe maxhorancës do lerë mënjanë traditën e sulmeve ndaj kundërshtarit, evidentimin e defekteve, kalimi deri në fyerje personale dhe do përqendrohet realisht siç është premtuar për qytetarin dhe problemet e tij? Unë do të thosha që këto 10 vitet e fundit, kryesisht PD ka bërë fushatë pozitiviste. Por dhe më parë. Le të kujtojmë ‘92, edhe ’96, ka qenë pozitiviste me sloganin; “Me ne fitojnë të gjithë”, pavarësisht kritizizmit që ka pasur. Viti 2001 ka qenë; “Për një fillim të ri”, ka qenë me ide pozitive. 2005 ka qenë fushatë pozitive, 2009 ka qenë pozitive. Ne kemi qenë përgjegjësisht në fushatë pozitive. Unë do kujtoj si një fushatë lokale pozitive model, atë të vitit 2003, ishte fushatë pozitive. Po për vitin 2007, zoti Imami, po të kemi parasysh se gati u kuptua se rivalët ishin zoti Olldashi dhe zoti Shalsi i cili e gjurmonte në çdo pikë të Tiranës dhe kundërshtonte ato që zoti Olldashi deklaronte, dhe beteja kryesore dukej se ishte Rama-Berisha, kështu u perceptua. Do të ndryshojë këtë herë? Nga pikëpamja e teknikës elektorale besoj se ishte inteligjente vendosja e këtyre raporteve për PS, dhe qe një nga arsyet e asaj fitoreje të 2007 ne Tiranë. Por ishte konteksti politik që e lejonte, në kuptimin që Rama sapo ishte bërë kreu i PS dhe donte ta lozte këtë kartë dhe e luajti në Tiranë. Pasi ka humbur në vitin 2009, nuk mund ta lozë më këtë kartë sepse është e djegur. Siç thotë latini, nuk shkon dy herë e njëjta gjë. Një taktikë elektorale e tillë, që është e qartë që do e vazhdojë dhe do të dështojë kësaj radhe, do ta cojë në atë që thashë, në monologun e një njeriu të vetmuar i cili nuk ka më kontakt me realitetin. Nuk mund të jetë më i njëjti qëndrim i qytetarit ndaj zotit Rama, sepse zgjedhjet e 2007 në analizë i humbi, pavarësisht se mori Tiranën, zgjedhjet e 2009 i humbi dhe nuk ka kush më kuriozitet për të parë performance e tij politike në nivel gjeneral. Përveç aspektit politik, çfarë sjell tjetër kandidatura e zotit Basha krahasuar gjithmonë me zotin Rama? Nuk do të përpiqesha të bëja analiza psikologjike dhe tipologji Nganjëherë në të tilla raste zgjidhet individi? Po flasim për individin, interesi i zotit Rama nuk është qytetari, nuk është Bashkia dhe qyteti, çfarë ka pasur për të mirë dhe për të keq, zoti Rama e ka bërë. Nuk po analizoj çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq. Nuk ka çfarë të bëjë më zoti Rama në Tiranë, nuk ka çfarë t’i thotë Tiranës. Rama do të fitojë në Tiranë vetëm për të thënë se dua të vazhdoj luftën më tej. Pra luftën për interesin e tij tërësisht të ngushtë si politikan, as për partinë e tij, as për qytetin e tij. Ka treguar këto 4 vite që ka qenë një kryetar Bashkie në mungesë që nuk ka bërë asnjë punë. Të gjithat arsyet qëndrojnë, që zoti Basha ka treguar me produkt konkret këto 6 vite që di të punojë dhe ka rezultat, ka dëshirën, ka kapacitetin për ta bërë këtë dhe do ta bëjë. Në 2007, PD humbi Bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat do të përpiqeni më fort ti rikuperoni veç Tiranës që është beteja kryesore? Po, po doli fitimtare në komunat dhe Bashkitë në rang vendi dhe mori votën totale. Për mua është e rëndësishme, për dy arsye, e para është pragmatizmi politik, ka rëndësi kush merr më shumë vota, se ai qeveris shumicën dhe e dyta që është më e rëndësishme dhe principiale, në të gjitha Bashkitë dhe Komunat e Shqipërisë jetojnë njerëz dhe kjo është tejet e rëndësishme, dhe ata kanë nevojë për shërbime. Falë kësaj pune që kryebashkiakët dhe kryekomunarët tanë bënë, dhe qeveria bëri, u bë e mundur fitorja e 2009. Sigurisht që do ishim shumë të lumtur dhe besoj që kësaj rradhe do ta realizojmë këtë objektiv që disa nga qytete të mëdha ti fitojë PD. Keqqeverisja në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë e shumë qytete të tjera do tu kthehet socialistëve në një armë kundër. Shembulli për të gjithë kryebashkiakët që po flasim është kryebashkiaku i Tiranës që është dhe kryetari i Partisë së tyre. E gjithë jeta politike e këtyre Bashkive nuk shkon në favor dhe në vëmendje të interesave të qytetarëve, por shkon në favor të jetës politike të zotit Rama për të siguruar karrigen e tij si kryeministër.
...